Si e nxiti krizën ushqimore lufta Rusi – Ukrainë dhe çfarë u shtrenjtua
Veprimet agresive ruse në Ukrainë po e pamundësojnë eksportimin e drithërave nga ky shtet dhe po e bëjnë ushqimin më të shtrenjtë në mbarë globin, duke paraqitur rrezik për përkeqësim të mungesës, urisë e jostabilitetit politik në vendet në zhvillim.
Associated Press
Së bashku, Rusia dhe Ukraina e eksportojnë një të tretën e sasisë globale të grurit dhe elbit, mbi 70 për qind të vajit të lulediellit dhe janë furnizuese të mëdha edhe të misrit. Rusia është prodhuesja më e madhe në botë e plehut artificial.
Çmimet e ushqimit tashmë ishin duke u rritur, ndërsa lufta e rëndoi situatën, duke e parandaluar arritjen e rreth 20 milionë tonëve drithëra ukrainase në Lindje të Mesme, Afrikë Veriore dhe në disa pjesë të Azisë.
Pak përparim është shënuar në bisedimet për hapjen e korridoreve të sigurta për eksportimin e drithërave nga portet ukrainase në Detin e Zi. Urgjenca po rritet, sepse po vjen periudha verore e korrjes, përcjell Gazeta Nacionale.
“Kjo duhet të ndodhë në muajt e ardhshëm ose do të jetë e tmerrshme”, tha Anna Nagurney, që e studion menaxhimin e krizave në Universitetin Massachusetts Amherst dhe që është pjesëtare e bordit të Shkollës së Kievit për Ekonomi.
Sipas saj, 400 milionë njerëz në botë varen nga furnizimi me ushqim nga Ukraina. Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së parashikon se deri në 181 milionë njerëz në 41 shtete mund të ballafaqohen me krizë ushqimore ose nivel më të rëndë të urisë këtë vit.
Si është situata?
Zakonisht, 90 për qind e grurit dhe drithërave të tjera nga fushat e Ukrainës shpërndahen në tregun botëror përmes detit, por janë bllokuar nga forcat ruse në bregdetin e Detit të Zi.
Një pjesë e grurit po transportohet në forma të tjera, përmes hekurudhave, rrugëve e lumenjve, por kjo sasi është shumë e vogël në krahasim me atë që dërgohej përmes transportit detar.
Zëvendësministri i Bujqësisë i Ukrainës, Markian Dmytrasevych, ka kërkuar ndihmë nga ligjvënësit e BE-së për rritjen e eksportit të drithërave, përfshirë zgjerimin e përdorimit të një porti rumun në Detin e Zi dhe ndërtimin e më shumë terminaleve në Lumin Danub. Por kjo nënkupton që ushqimi do të shkonte edhe më larg atyre që kanë nevojë për të.
“Duhet të shkosh përreth Evropës për t’u kthyer në Mesdhe. Kjo vërtet ka shtuar sasi të pabesueshme të kostos për drithërat ukrainase”, tha Joseph Glauber, hulumtues në Institutin Ndërkombëtar për Hulumtim të Politikave të Ushqimit në Uashington.
Ukraina ka mundur të eksportojë vetëm 1.5 deri në 2 milionë tonë drithëra në muaj nga fillimi i luftës, shumë më pak se 6 milionë tonë në muaj, sa eksportonte para luftës, tha Glauber, ish-kryeekonomist në Departamentin e Bujqësisë të ShBA-së.
As drithërat e Rusisë nuk po eksportohen. Moska pretendon se sanksionet perëndimore ndaj sistemit të saj bankar dhe industrisë së anijeve ia bëjnë Rusisë të pamundur eksportimin e ushqimit dhe plehut. Zyrtarët rusë këmbëngulin që të largohen sanksionet për t’i dërguar drithërat në tregjet globale.
Sidoqoftë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë thonë se sanksionet nuk e prekin ushqimin.
Shkaqet paraprake dhe vendet më të goditura
Çmimet e ushqimit po rriteshin edhe para luftës për shkak të disa faktorëve, përfshirë motin e lig dhe rezultatet e dobëta të korrjes, që e kufizuan furnizimin, kur kërkesa globale u rrit fuqishëm pas rimëkëmbjes nga pandemia e koronavirusit.
Glauber i përmendi edhe rezultatet e dobëta të korrjes vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada dhe thatësia që e dëmtoi rendimentin e sojës në Brazil. Edhe Briri i Afrikës është duke u ballafaquar me thatësinë më të madhe në katër dekadat e fundit, ndërsa vapa rekorde në Indi në mars e zvogëloi rendimentin e grurit.
Ukraina dhe Rusia eksportojnë kryesisht në shtete në zhvillim, që janë më të ndjeshmet ndaj rritjes së kostos dhe mungesës.
Shtetet si Somalia, Libia, Libani, Egjipti dhe Sudani janë shumë të varura nga gruri, mistri dhe vaji i Ukrainës e Rusisë.
Çfarë është shtrenjtuar?
Çmimi i grurit është rritur për 45 për qind në tre muajt e parë të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas indeksit të çmimeve të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë. Çmimi i vajit bimor është rritur për 41 për qind, ndërsa edhe çmimet e sheqerit, mishit, qumështit dhe peshkut janë rritur me përqindje dyshifrore.
Kjo rritje e çmimeve po nxit inflacion më të shpejtë në botë, duke i bërë më të shtrenjta dyqanet ushqimore dhe duke e rritur koston për pronarët e restoranteve, që janë detyruar t’i rrisin çmimet.
Disa shtete po reagojnë përmes kufizimit të prodhimit vendës. India e ka kufizuar eksportimin e sheqerit dhe grurit, ndërsa Malajzia e ka ndaluar eksportimin e pulave të gjalla, duke e alarmuar Singaportin, që një të tretën e shpezëve e importon nga vendi fqinj.
Instituti Ndërkombëtar për Hulumtim të Politikave të Ushqimit thotë se nëse mungesa e ushqimit bëhet më akute, përderisa lufta zgjatet, kjo mund të shkaktojë më shumë kufizime të eksportit, që i rrisin edhe më shumë çmimet.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli