Shumica e pengjeve të liruara të premten nga Hamasi duken në gjendje të mirë, thotë spitali - NACIONALE

Shumica e pengjeve të liruara të premten nga Hamasi duken në gjendje të mirë, thotë spitali

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shumica e pengjeve që u liruan të premten nga Hamasi duken në gjendje të mirë fizike pas kthimit në Izrael, tha spitali ku u dërguan ato.

Në një deklaratë të spitalit të fëmijëve “Schneider”, ku po trajtohen katër nëna dhe katër fëmijë të liruar nga Hamasi, thuhet se mjekët kishin kryer një ekzaminim preliminar dhe thanë se të gjithë të liruarit janë në gjendje të mirë fizike, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Gjithsej 13 pengje izraelite u liruan të premten dhe u dërguan në tri spitale në Izrael për t’u ekzaminuar. Këto pengje u liruan si pjesë e marrëveshjes për pauzë 4-ditore të luftimeve dhe disa të tjera pritet të lirohen të shtunën.

Danielle Aloni, e bija e saj, Emilia Aloni, Doron Asher dhe të bijat e saj, Raz Asher e Aviv Asher, si dhe Keren Munder, nëna e saj, Ruti Munder e djali i saj, Ohad Munder, u dërguan në Qendrën Mjekësore për Fëmijë “Schneider” në Petah Tikva.

Pesë pengje të tjera që u liruan, të gjitha gra të moshuara, po pranojnë kujdes shëndetësor në spitalin “Wolfson” në Holon.

Ky spital tha se disa prej grave janë “të dobëta e të dërrmuara” dhe nuk pritet që t’u lejohet shkuarja në shtëpi as të shtunën.

Ndërkohë, të paktën 20 shtetas të Tajlandës ende po mbahen nga Hamasi në Rripin e Gazës, tha Ministria e Jashtme e këtij shteti, disa orë pasi grupi palestinez liroi dhjetë tajlandezë dhe një filipinas që ishin rrëmbyer më 7 tetor.

Dhjetë tajlandezët e liruar të premten, në mesin e të cilëve është vetëm një grua, pritet të kthehen në atdhe pas 48 orëve në spital, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.

Të shtunën, Izraeli po përgatitet që ta pranojë grupin e dytë të pengjeve të liruara – përsëri 13.

Pauza e përkohshme e luftimeve mund të zgjatet për një ditë për çdo dhjetë pengje shtesë që lirohen.

Lajme të ngjashme