Nis pauza 4-ditore në luftime mes Izraelit dhe Hamasit, pritet lirimi i disa pengjeve - NACIONALE

Nis pauza 4-ditore në luftime mes Izraelit dhe Hamasit, pritet lirimi i disa pengjeve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një pauzë e shumëpritur në luftimet mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi të premten në mëngjes. Sidoqoftë, të dyja palët kanë paralajmëruar se kjo pauzë është e përkohshme.

Sipas marrëveshjes, e cila është ndërmjetësuar nga Katari, 13 pengje izraelite pritet të lirohen më vonë të premten, ndërsa 50 gjithsej gjatë pauzës 4-ditore të luftimeve, raporton televizioni BBC.

Në këmbim të lirimit të këtyre 50 pengjeve, Hamasi do ta sigurojë lirimin e 150 të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite. Është raportuar se bëhet fjalë për gra dhe të mitur.

Zjarr i armëve të vogla dhe i mortajave si dhe një sulm ajror u dëgjuan nga një reporter i BBC-së afër Gazës disa çaste para se të hynte në fuqi pauza e luftimeve.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, duke iu drejtuar banorëve të Gazës në gjuhën arabe, tha: “Pauza humanitare është e përkohshme. Pjesa veriore e Rripit të Gazës është zonë e rrezikshme lufte dhe është e ndaluar që të lëvizet në veri. Për sigurinë tuaj, duhet të mbeteni në zonën humanitare në jug.”

Që nga fillimi i luftës më 7 tetor, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, Ministria e Shëndetësisë në Gaza, që menaxhohet nga ky grup, ka thënë se mbi 14 mijë njerëz janë vrarë në enklavën palestineze gjatë ofensivës hakmarrëse të forcave izraelite.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, pritet të takohet të premten me udhëheqësit palestinezë dhe ka thënë se Britania është duke i shqyrtuar të gjitha rrugët për ta siguruar hyrjen e ndihmave në Gaza.

Një ditë më parë, kryediplomati britanik u takua me udhëheqës izraelitë dhe vizitoi një zonë të sulmuar nga Hamasi, duke thënë se kishte dashur që ta shihte për së afërmi atë që kishte ndodhur.

Lajme të ngjashme