Shumica e familjeve të të dyshuarve të ISIS-it largohen nga një kamp në Siri, alarmojnë OJQ-të
Shumica e familjeve të luftëtarëve të dyshuar të ISIS-it janë larguar nga kampi “al-Hawl” që nga koha kur autoritetet siriane e morën këtë qendër nën kontroll, duke nxitur shqetësime për sigurinë dhe situatën humanitare për shkak të vendndodhjes së tyre.
Rreth 6.000 gra dhe fëmijë nga 42 shtete të ndryshme mbaheshin më parë në aneksin për të huajt në kampin “al-Hawl” në pjesën verilindore të Sirisë, ku qëndronin disa nga ish-pjesëtarët më radikalë të grupit ekstremist. Aneksi për të huajt ishte i ndarë nga kampi që shërbente si vendbanim për rreth 20.000 sirianë e irakianë, raporton gazeta “The Guardian”.
Të gjithë njerëzit që po mbahen në kamp janë ndaluar në mënyrë arbitrare, pasi nuk janë gjykuar apo ndaj tyre nuk janë ngritur aktakuza për përfshirjen e dyshuar në ISIS dhe shumë prej banorëve të kampit janë fëmijë të vegjël.
Të premten, grupet humanitare thanë se aneksi për të huajt është boshatisur pothuajse tërësisht nga ish-banorët dhe se shumica e familjeve janë nisur për në qytetin Idlib. Grupet thonë se gratë dhe fëmijët e huaj janë larguar nga aneksi për të huajt në kamp që nga koha kur Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, e braktisën kampin për shkak të avancimit të forcave qeveritare siriane më 20 janar.
“Të gjitha gratë e huaja janë larguar në këtë periudhë” – tha Jihan Hanan, e cila e drejtonte kampin deri muajin e kaluar, kur qendra u mor nën kontroll nga autoritetet qendrore siriane. “Për çdo ditë, vinin vetura dhe i merrnin ato natën dhe i dërgonin në Idlib. Kjo nuk u bë në mënyrë të organizuar” – shtoi ajo.
Ikja e individëve të lidhur me ISIS-in nga kampi “al-HaWl” dhe nga qendra të tjera të ndalimit ka qenë për një kohë të gjatë shqetësim për komunitetin ndërkombëtar, i cili ka paralajmëruar se një eksod masiv do të mund ta ndihmonte ISIS-in për t’u rikonstituuar në Siri e Irak. Ushtria amerikane ka transferuar në burgje në Irak rreth 3.000 të ndaluar të dyshuar për lidhje me ISIS-in gjatë muajit të fundit dhe pritet që ta përfundojë transferimin e rreth 4.000 të tjerëve ditëve në vijim.