Shumë tërmete e rrezik për shpërthim vullkani, Islanda shpall gjendje të jashtëzakonshme
Islanda ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme pas një vargu tërmetesh, të cilat shkaktuan frikë për mundësinë e shpërthimit të një vullkani.
Autoritetet kanë urdhëruar mijëra banorë të qytezës jugperëndimore, Grindavik, që të evakuohen si masë paraprake, raporton televizioni BBC.
Zyra e Meteorologjisë e Islandës thotë se është e shqetësuar që një sasi e madhe e magmës është duke u shpërndarë nën tokë dhe mund të dalë në sipërfaqe në këtë vendbanim.
Mijëra dridhje të tokës janë regjistruar në javët e fundit përreth Vullkanit të Fagradalsfjall-it, që ndodhet afër qytezës Grindavik.
Tërmetet kanë qenë të përqendruara në Gadishullin e Reykjanes-it, që kishte qenë zonë e fjetur sa i përket aktivitetit vullkanik për 800 vjet para një shpërthimi më 2021.
Të enjten, shtimi i aktivitetit sizmik në atë zonë i nxiti autoritetet që ta mbyllnin Lagunën e Kaltër. Më shumë se 20 mijë dridhje të tokës janë regjistruar në pjesën jugperëndimore të Islandës nga fundi i tetorit.
Agjencia e Mbrojtjes Civile e Islandës tha se vendimi për evakuimin e banorëve erdhi pasi Zyra e Meteorologjisë nuk mund ta përjashtonte mundësinë që “një tunel i magmës, që është duke u formuar tash për tash, të arrinte në Grindavik”.
Në një deklaratë të publikuar të premten, kjo agjenci tha se njerëzit duhet të largohen nga qyteza, por gjithashtu theksoi se nuk bëhet fjalë për evakuim urgjent, duke bërë thirrje që banorët “të qëndrojnë të qetë, sepse kemi sasi të mirë kohe për të reaguar”.
“Nuk ka rrezik të menjëhershëm, evakuimi është kryesisht parandalues, qëllimi kryesor është siguria e të gjithë banorëve të Grindavik-ut”- tha Agjencia e Mbrojtjes Civile.
Të gjitha rrugët që dërgojnë në qytezën me rreth katër mijë banorë janë të mbyllura me përjashtim të qarkullimit për arsye urgjente.