Shtrenjtohet nafta në tregun global, pritet zvogëlim i ri i prodhimit
Çmimet e naftës së papërpunuar në bursa ndërkombëtare shënuan rritje të mërkurën, pasi pritet që në rezervat e ShBA-së të shënohet rënie masive dhe ka mundësi që shtetet e organizatës OPEC+ të vendosin për zvogëlim të ri të prodhimit në takimin e së premtes.
Çmimi i një fuçie të naftës së papërpunuar në bursën ndërkombëtare “Brent” shkoi në 85,64 dollarë në orën 10 e 8 minuta sipas kohës lokale, 0,86 për qind më shtrenjtë se të martën, raporton agjencia “Anadolu”.
Në bursën amerikane, “West Texas Intermediate” (WTI). Çmimi për një fuçi nafte shkoi në 82,06 dollarë, 0,85 për qind më shtrenjtë se të martën.
Vlerësohet se rezervat në ShBA të pakësohen për rreth 15,4 milionë fuçi, dukshëm më shumë se parashikimi i tregut për pakësim prej 900 mijë fuçish.
Sidoqoftë, kërkesa për karburante në Kinë është ende nën vëzhgimin e investitorëve, kur vendi po mundohet që të rimëkëmbet nga dobësia e kërkesës në periudhën e pandemisë së koronavirusit.
Analistët thonë se të dhënat shqetësuese ekonomike nga Kina mund të çojnë në një vendim për pakësim të ri të prodhimit nga grupi i shteteve të OPEC-ut në takimin e kësaj organizate të premten.