Shtetet evropiane po i forcojnë kufijtë - NACIONALE

Shtetet evropiane po i forcojnë kufijtë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian po ballafaqohet me rritje të numrit të imigrantëve legalë e ilegalë, duke nxitur disa shtete të bllokut që të rivendosin kontrolle kufitare brenda asaj që normalisht është zonë e lëvizjes së lirë.

Rregullat e Shengenit lejojnë masa të tilla “si zgjedhje e fundit” në rastet që vlerësohen kërcënime serioze ndaj sigurisë së brendshme ose politikave publike, raporton agjencia “Reuters”.

Shtetet e mëposhtme kanë rikthyer në fuqi kontrolle më të rrepta:

-Austria rivendosi kontrolle në tetor në kufirin e saj me Çekinë. Kjo masë pritet të zgjasë deri më 6 dhjetor.

Nga nëntori, ky shtet e zgjati afatin e kontrolleve kufitare me Slloveninë dhe Hungarinë deri në maj të vitit 2024, duke i përmendur si arsye presionin ndaj sistemit për pranimin e azilantëve, rreziqet për trafikim të armëve, rrjetet kriminale të lidhura me luftën në Ukrainë dhe trafikimin e njerëzve.

-Danimarka në gusht i ashpërsoi kontrollet për ata që hyjnë në këtë shtet, përfshirë ata që vijnë nga vendet e Shengenit, në aeroportin e Kopenhagës për ta shtuar sigurinë pas incidenteve të djegies së kopjeve të Kuranit.

Ky shtet i ka zgjatur kontrollet në kufirin tokësor me Gjermaninë dhe në portet që kanë lidhje trageti me vendin fqinj deri në maj të vitit 2024, sipas një raporti të Komisionit Evropian.

-Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, është ballafaquar me shtim të ndjeshëm të kërkesave për azil për herë të parë këtë vit.

Berlini i ka zgjatur kontrollet në kufirin tokësor me Austrinë deri në maj të vitit të ardhshëm, duke thënë se kjo është kundërpërgjigje ndaj atyre që i ka quajtur tendosje ndaj sistemit për pranimin e azilantëve, rreziqet e sigurisë të lidhura me terrorizmin në Lindje të Mesme dhe luftën në Ukrainë.

-Italia i riktheu kontrollet policore në kufirin tokësor me Slloveninë nga 21 tetori, duke thënë se disa imigrantë në transit gjatë kalimit nëpër Ballkan mund të jenë terroristë.

Kjo masë do të jetë në fuqi të paktën deri më 9 dhjetor. Ministri i Punëve të Brendshme, Matteo Piantedosi, tha në tetor se kontrollet, me gjasë, do të zgjaten deri në vitin e ardhshëm.

-Norvegjia, shtet që është pjesë e zonës Shengen, por jo anëtare e BE-së, i riktheu kontrollet kufitare në portet që kanë lidhje trageti me zonën Shengen nga 12 nëntori. Si arsye i ka përmendur kërcënimet ndaj infrastrukturës së saj në terren tokësor e detar si dhe rreziqet nga shërbimet e huaja të inteligjencës. Këto kontrolle do të jenë në fuqi deri më 5 maj 2024.

-Polonia ia ka zgjatur kontrollet e përkohshme në kufirin e saj me Sllovakinë deri më 3 dhjetor, duke i përmendur si arsye përpjekjet e imigrantëve për të hyrë ilegalisht nga vendi fqinj.

-Suedia i fuqizoi kontrollet kufitare në gusht, duke i dhënë policisë kufitare më shumë kompetenca, përfshirë kontrollin e trupit dhe shtimin e përdorimit të vëzhgimit elektronik.

-Franca i rivendosi nga nëntori kontrollet kufitare me vendet e Shengenit, duke i cituar ato që i quan rreziqe nga terrorizmi. Këto kontrolle pritet të jenë në fuqi deri më 30 prill 2024.

-Sllovakia më 20 nëntor e miratoi mbajtjen në fuqi të kontrolleve kufitare në kufirin e saj me Hungarinë deri më 23 dhjetor. Qeveria po synon që ta kufizojë numrin e imigrantëve ilegalë.

-Sllovenia më 17 nëntor i zgjati kontrollet kufitare me vendet e Shengenit deri më 9 dhjetor. Si arsye, autoritetet i përmenden konfliktet e armatosura në Ukrainë, Lindje të Mesme e Afrikë si dhe shtimin e rreziqeve nga krimi i organizuar dhe terrorizmi.

-Finlanda më 24 nëntor i mbylli pothuajse të gjitha pikëkalimet kufitare për pasagjerë në kufirin me Rusinë, përpos njërës prej tyre, pasi mbi 700 imigrantë kishin arritur në stacione të ndryshme kufitare brenda dy javëve. Nuk është njoftuar ndonjë datë për rihapjen e këtyre pikëkalimeve.

Helsinki thotë se Moska është përgjegjëse për transportimin e numrit jashtëzakonisht të madh të imigrantëve deri në kufirin finlandez, akuzë që Kremlini e mohon.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme