Shtëpisë së Bardhë i ngelet hatri në Nobelin: U dëshmua që e vendosin politikën para paqes
Shtëpia e Bardhë e ka akuzuar Komitetin e Nobelit për vendosjen e “politikës para paqes”, pasi Çmimi Nobel për Paqe iu dha aktivistes venezuelase pro demokracisë, Maria Coria Machado, e jo presidentit amerikan, Donald Trump.
Të premten, Komiteti i Nobelit njoftoi se Machado-s do t’i jepet çmimi prestigjioz për “punën e palodhshme në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës”, raporton televizioni BBC.
Trumpi është shquar për dëshirën e tij që t’i jepet Nobeli, duke i dhënë vetes merita për përfundimin e disa konflikteve globale. Presidenti i Shtëpisë së Bardhë e ka zënë rregullisht në gojë këtë temë, përfshirë rastin kur iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së muajin e kaluar.
Drejtori i Komunikimeve i Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, tha se “Komiteti i Nobelit dëshmoi se e vë politikën para paqes”.
“Presidenti Trump do të vazhdojë që të bëjë marrëveshje të paqes, t’u japë fund luftërave dhe të shpëtojë jetë. Ai e ka zemrën e një humanitari dhe nuk do të jetë kurrë askush si ai që mund t’i lëvizë malet me forcën absolute të vullnetit të tij” – shkroi Cheung në rrjetin X.
Trumpi ka luajtur rol domethënës në arritjen e një marrëveshjeje me disa faza për armëpushim në Gaza, e cila u njoftua vetëm dy ditë para se të jepej Çmimi Nobel për Paqe.
Presidenti amerikan ka thënë se u ka dhënë fund edhe disa konflikteve të tjera globale, përfshirë një mes Kosovës e Serbisë.
Pas njoftimit për arritjen e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, Trumpi deklaroi: “Të bekuar janë paqebërësit.” Shtëpia e Bardhë e quajti atë “president i paqes”./Nacionale