Shtëpia e Bardhë thotë se Trumpi e pësoi këtë mavijosje në dorë pasi e goditi cepin e tavolinës në Davos
Shtëpia e Bardhë tha të enjten se mavijosja në dorën e majtë të presidentit amerikan, Donald Trump, është shkaktuar nga goditja e cepit të tavolinës së nënshkrimit gjatë një organizimi të Bordit të Paqes në Davos të Zvicrës më herët gjatë ditës.
“Në organizimin e Bordit të Paqes sot në Davos, presidenti Trump e goditi dorën në këndin e tavolinës së nënshkrimit, duke e shkaktuar mavijosjen e saj” – tha në një deklaratë sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë shtoi se presidenti dhe mjekët e tij më parë kanë thënë se ai është i ndjeshëm ndaj mavijosjeve në duar për shkak të përdorimit të përditshëm të ilaçit aspirin.

Zyrtari ndau fotografi të presidentit në Davos të mërkurën dhe të enjten, duke i thënë televizionit CNN: “Fotografitë nga dje dhe nga mëngjesi i sotëm qartazi nuk tregojnë mavijosje.”
Në fillimin e organizimit të Bordit të Paqes, në një video Trumpi nuk dukej se kishte mavijosje të rëndë në dorë. Megjithatë, mavijosja ishte e dukshme rreth dhjetë minuta më vonë, pasi ai po ulej në karrige dhe po nënshkruante disa dokumente.
Trumpi për një kohë të gjatë ka pasur mavijosje në dorën e djathtë, për të cilën televizioni CNN kishte raportuar se ekzistonte para se presidenti të rikthehej në pushtet.
Megjithatë, mavijosja në dorën e djathtë kishte marrë vëmendje, pasi presidenti ishte munduar që ta mbulonte atë duke përdorur shumë makijazh dhe fasha si dhe duke e mbuluar atë para kamerave me dorën tjetër.
Një mavijosje në dorën e majtë në fund të vitit të kaluar kishte ngritur pyetje për shëndetin e presidentit./Nacionale