Shtëpia e Bardhë e quan “premtim të mbajtur” një thirrje të përsëritur të Trumpit që s’është realizuar - NACIONALE

Shtëpia e Bardhë e quan “premtim të mbajtur” një thirrje të përsëritur të Trumpit që s’është realizuar

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtëpia e Bardhë ka publikuar një thirrje të përsëritur disa herë nga presidenti Donald Trump për zbatimin e dënimit me vdekje për cilindo person që vret një shtetas amerikan apo një oficer të sundimit të ligjit.

“Premtim i dhënë, premtim i mbajtur: S’ka mëshirë për vrasësit e dënuar të policëve” – ishte mbishkrimi i llogarisë së Shtëpisë së Bardhë në rrjetin “Facebook” mbi një foto-lajm ku ishin paraqitur një deklaratë e Trumpit më 12 tetor 2024 dhe një titull lajmi nga medium “Officer.com”.

“Me anë të kësaj po bëj thirrje për dënim me vdekje për cilindo imigrant që vret një qytetar amerikan ose një zyrtar të sundimit të ligjit” – është deklarata e paraqitur në foto-lajm nga Shtëpia e Bardhë. Aty thuhet se Trumpi i ka thënë këto fjalë në tetorin e vitit të kaluar.

Më poshtë paraqitet një titull i mediumit “Officer.com”: “Trumpi bën thirrje për dënim me vdekje të detyrueshëm për vrasësit e dënuar të policëve”

Sidoqoftë, kjo thirrje e kreut të Shtëpisë së Bardhë nuk është shndërruar në ndonjë ligj të veçantë federal dhe dënimi me vdekje nuk zbatohet automatikisht në raste të tilla.

Shumica e shteteve amerikane që e kanë në fuqi dënimin me vdekje, vrasjen e një polici e kanë në listën e faktorëve rëndues. Kjo do të thotë se prokurorët mund të kërkojnë dënim me vdekje për të akuzuarin, por shqiptimi i tij nuk është i domosdoshëm.

Shtetet amerikane që nuk e kanë në fuqi dënimin me vdekje, si Nju-Jorku, Illinoi apo Kalifornia, për vrasje të tilla shqiptojnë dënim me burgim të përjetshëm.

Lajme të ngjashme