Shtatë ushtarë pakistanezë vriten gjatë përleshjeve me militantët
Shtatë ushtarë pakistanezë, gjashtë militantë e një civil kanë vdekur nga përleshjet gjatë një bastisjeje të ushtrisë kundër militantëve si kundërpërgjigje ndaj një sulmi të mëhershëm ndaj ushtarëve, tha të shtunën ushtria pakistaneze.
Operacioni vazhdoi për dy ditë, pasi një grup militantësh sulmuan një kamp ushtarak në distriktin Qila Saifullah të provincës veriore, Balochistan, të premten herët. Militantët mbajtën peng tri familje, përfshirë disa gra e fëmijë, në zonën e banimit të kampit ushtarak, tha ushtria.
Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për atë sulm, raporton agjencia “Associated Press”.
“Operacioni... përfshiu një operacion për shpëtimin e pengjeve si dhe shpëtimin e tri familjeve në një bllok banesor. Terroristët madje nuk i kursyen as fëmijët nga qasja e tyre e tmerrshme”- thuhet në njoftim.
Ushtria tha se është duke u zhvilluar puna e inteligjencës për t’i zbuluar lidhjet e militantëve dhe për t’i arrestuar ndihmësit tyre.
