Shpëtohen mbi 200 emigrantë afër Ishujve Kanare të Spanjës
Të paktën 227 emigrantë u shpëtuan të enjten afër Ishujve Kanare të Spanjës, thonë zyrtarët, një ditë pas raportimit të më shumë se 30 emigrantëve të tjerë atje.
Shërbimet emergjente thonë se emigrantët ishin duke lundruar me barka me ajër afër ishujve Lanzarote dhe Gran Canaria në pjesën lindore të Oqeanit Atlantik.
Disa prej emigrantëve janë dërguar në spital për t’u trajtuar për probleme të lehta, raporton televizioni BBC.
Të mërkurën, dy organizata bamirëse thanë se mbi 30 emigrantë mund të jenë mbytur në ujë, pasi gomonia e tyre u përmbyt afër ishullit Gran Canaria.
Autoritetet spanjolle thanë se punëtorët e shpëtimit i kanë gjetur trupat e një të mituri dhe një burri dhe se kanë shpëtuar 24 persona të tjerë.
Megjithatë, organizatat “Walking Borders” dhe “Alarm Phone” thanë se në barkë ndodheshin rreth 60 persona.
Helena Maleno Garzon nga organizata “Walking Borders” tha se 39 persona janë mbytur në ujë, përfshirë katër gra dhe një foshnjë, ndërsa organizata “Alarm Phone” tha se 35 persona janë zhdukur.
Agjencia spanjolle e lajmeve, “Efe”, raportoi se një anije spanjolle e shpëtimit, e quajtur “Guardamar Caliope”, ishte vetëm rreth një orë lundrim larg gomones të martën në mbrëmje.
Megjithatë, anija nuk i ofroi ndihmë barkës, sepse operacioni ishte marrë nën kontroll nga zyrtarët marokenë, të cilët dërguan një barkë patrulluese që arriti të mërkurën në mbrëmje, dhjetë orë pas vërejtjes së barkës me emigrantë nga një aeroplan spanjoll i shpëtimit, sipas agjencisë “Reuters”.
Udhëheqësi i rajonit të Ishujve Kanare, Angel Victor Torres, e përshkroi incidentin si tragjedi dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të ndërtojë një politikë emigrantësh që “ofron përgjigje të bashkërenduara dhe mbështetëse” për këtë çështje.
