Shpërthim në një stacion policie në Kashmirin indian, raportohet për nëntë të vrarë
Të paktën nëntë njerëz u vranë dhe 29 të tjerë u lënduan, kur një grumbull i lëndëve shpërthyese shpërthyen në një stacion të policisë në pjesën indiane të Kashmirit të premten vonë, thanë burimet policore, disa ditë pasi një shpërthim veture në New Delhi la të vrarë tetë persona.
Shumica e të vdekurve ishin policë, përfshirë zyrtarë të forenzikës që po e ekzaminonin lëndën shpërthyese, thanë burimet, të cilat nuk deshën të identifikoheshin. Ato shtuan se disa nga të lënduarit janë në gjendje kritike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Identifikimi i trupave është duke u zhvilluar, pasi disa janë djegur tërësisht. Intensiteti i shpërthimit ishte i atillë, saqë disa pjesë trupash u gjetën në shtëpitë afër [stacionit të policisë], rreth 100 deri në 200 metra larg stacionit” – tha njëri nga burimet.
Komandanti policor për rajonet Jammu dhe Kashmir pritet që pak më vonë të dalë në një konferencë për shtyp për të folur rreth incidentit, transmeton gazeta "Nacionale".
Më herët, një zyrtar i policisë lokale i tha agjencisë “Reuters” se shpërthimi kishte ndodhur në stacionin e policisë në Nowgam dhe se objekti ishte kapluar nga zjarri.
Shpërthimi atje ndodhi vetëm katër ditë pasi një veturë shpërtheu në kryeqytetin indian, duke lënë të vrarë të paktën tetë njerëz në atë që Qeveria e ka quajtur incident terrorist.
India dhe Pakistani, shtete që kanë armë bërthamore, me dekada kanë zhvilluar luftëra për rajonin e kontestuar të Kashmirit, për të cilin pretendojnë se u përket tërësisht territorit të tyre, por e kanë nën kontroll vetëm pjesërisht.