Shpërthejnë protesta në Guizhoi të Kinës, kundërshtohet djegia e trupave të të vdekurve
Protesta kanë shpërthyer në provincën jugore të Kinës, Guizhou, në një varg demonstratash rurale ku janë shënuar incidente kryengritëse për 70 për qind më shumë në krahasim me vitin e kaluar.
Protestat në qytezën Shidong filluan në fundjavë kundër një udhëzimi nga autoritetet lokale se njerëzit pas vdekjes duhet të digjen, e jo të varrosen, raporton gazeta “The Guardian”.
Guizhou është provincë e varfër rurale, larg qendrave urbane, Shenzhen dhe Shangai.
Në pamje të paverifikuara nga protestat, të publikuara në rrjetin X nga llogaria “Yesterday Big Cat”, një fshatar dëgjohet duke bërtitur: “Nëse Partia Komuniste do t’i hapë varret e të parëve, shkoni e hapni së pari varret e të parëve të [presidentit kinez] Xi Jinping.”
Në një video tjetër të siguruar nga projekti “China Dissent Monitor”, që menaxhohet nga organizata “Freedom House”, shihen dhjetëra fshatarë duke rrethuar një veturë të policisë.
Ajo zonë ka përqindje të lartë të banorëve të etnisë Miao, pakicë etnike tradita e të cilëve thotë se të vdekurit duhet të varrosen, e jo të digjen.
Viteve të fundit, Kina është ballafaquar me varreza të stërngarkuara dhe autoritetet i kanë inkurajuar njerëzit që të shqyrtojë praktika alternative të funeraleve, si varrosja në det.
Sidoqoftë, për banorët e zonave rurale, varrimet tradicionale janë pjesë thelbësore e kulturës së tyre./Nacionale