Shoigu i Rusisë urdhëron më shumë armë për luftën në Ukrainë
Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, urdhëroi dërgesa më të shumta e më të shpejta të armëve për operacionin ushtarak të Moskës në Ukrainë, tha të mërkurën kjo ministri.
Në një takim me komandën e lartë ushtarake të luftës ruse në Ukrainë, komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, i cili është drejtues i operacionit, ia paraqiti një raport ministrit Shoigu, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie, raporton agjencia “Reuters”.
“Për ta mbajtur ritmin e kërkuar të ofensivës... është e nevojshme që të rriten vëllimi dhe cilësia e armëve dhe pajisjeve ushtarake të ofruara për trupat, kryesisht armët” – citohet të ketë thënë ministri Shoigu.
Përderisa Ukraina po ankohet për mungesë të armëve, forcat ruse kanë shënuar përparime taktike pothuajse të përditshme javëve të fundit përgjatë vijës së frontit në juglindje të Ukrainës.
Rusia ka marrë nën kontroll rreth pesë fshatra në rajonin e Donetskut, përderisa i ka përforcuar pozicionet në fushën e betejës në rajonin e Kharkivit.
Komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, paralajmëroi të dielën se Ukraina rrezikon që të humbë më shumë territor, nëse Perëndimi nuk i ofron shpejt armë vendit të tij.
Ai po e njoftonte tërheqjen e trupave nga fshatrat afër Avdivkës, bastion lindor që u kap nga Rusia më herët këtë vit.