Shkurt, shpejt, qartë: Pse dha dorëheqje kryeministrja e Britanisë?
Zonja Liz Truss ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar vetëm 45 ditë pas marrjes së kësaj detyre të rëndësishme. Çfarë duhet të dimë për të?
Liz Truss e zëvendësoi Boris Johnson-in në postin e kryetares së Partisë Konservatore dhe, rrjedhimisht, u bë kryeministre më 6 shtator. Sidoqoftë, ajo e drejtoi qeverinë për vetëm 45 ditë, duke u bërë kryeministrja me pushtetin më të shkurtër në histori të vendit ishullor. Rekordi i mëparshëm ishte 119 ditë dhe mbahej nga George Canning, i cili kishte vdekur gjatë qëndrimit në pushtet më 1827.
U zhyt në probleme shumë shpejt
Ministri i Financave, Kwasi Kwarteng, e zbuloi planin për pakësim të taksave prej 45 miliardë funtesh në javën e tretë të qëndrimit të Truss-it në krye të qeverisë, duke e quajtur “mini-buxhet”. Sidoqoftë, ky buxhet u fajësua gjerësisht për shkaktim të problemeve të mëdha ekonomike. Pothuajse i tërë plani është ndryshuar dhe ministri është shkarkuar.
Disa deputetë të saj filluan që ta kritikonin haptazi
Dhjetëra deputetë të Partisë Konservatore i bënë thirrje zonjës Truss që të jepte dorëheqje, ndërsa sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, hoqi dorë nga posti i saj. Kryeministrja u detyrua që t’i ngarkonte në detyrë ish-rivalët e saj, Grant Shapps e Jeremy Hunt, për t’i plotësuar vendet boshe në ekipin qeverisës.
Nuk dimë se kush do ta zëvendësojë
Në Partinë Konservatore, javën e ardhshme pritet të zhvillohet gara për kryetar. Liz Truss do të jetë kryetare derisa të zgjidhet dikush tjetër. Ajo ishte kryeministrja e fundit që u emërua në detyrë nga mbretëresha Elizabetë./Nacionale
