Shkon në të paktën 22 numri i të vdekurve nga vërshimet e rrëshqitja e dheut në Kore Jugore
Ka shkuar në të paktën 22 numri i viktimave të vërshimeve e rrëshqitjes së dheut, që u shkaktuan nga reshjet e dendura të shiut. 14 persona të tjerë janë zhdukur, thanë të shtunën autoritetet.
Për 22 rastet fatale u raportua të premten dhe të shtunën dhe të gjitha viktimat ishin nga rajonet qendrore dhe jugore të vendit, thuhet në një raport të Ministrisë së Brendshme dhe të Sigurisë.
Në një raport të mëhershëm të kësaj ministrie, që u publikua të shtunën në mëngjes, u tha se pesë persona vdiqën, pasi dheu rrëshqiti dhe i mbuloi shtëpitë e tyre. Dy të tjerë vdiqën në incidente të tjera të ndërlidhura me rrëshqitjen e dheut. Sidoqoftë, në raportin e ri të ministrisë nuk u shpjegua shkaku i vdekjes së viktimave të reja.
Në raport thuhet se nga reshjet e dendura janë zhdukur 14 persona nga e marta, ndërsa 13 të tjerë janë lënduar nga e enjtja, raporton agjencia “Associated Press”.
Koreja Jugore është duke u ballafaquar me reshje të dendura nga e diela e 9 korrikut. Ministria tha se reshjet kanë detyruar 4.760 persona që të zhvendosen, ndërsa mijëra familja kanë mbetur pa rrymë gjatë shtatë ditëve të fundit.
Të shtunën, 20 fluturime u anuluan, ndërsa shërbimi i trenave të rregullt dhe i disa trenave të shpejtë u pezulluan, njoftoi më tej ministria koreane. Në raport thuhet se 140 rrugë kishin mbetur të bllokuara.
Agjencia e motit e Koresë Jugore tha se në disa pjesë të vendit pritet vazhdim i reshjeve të dendura të shiut deri të dielën. Presidenti Yoon Suk Yeol, i cili e vizitoi të shtunën Ukrainën, kërkoi nga kryeministri Han Duck-soo që t’i mobilizonte të gjitha burimet që janë në dispozicion për të reaguar ndaj gjendjes së krijuar, sipas zyrës së presidentit.
