Shkon në rreth 40 numri i të vrarëve nga sulmi në shkollën e Ugandës, shumica nxënës - NACIONALE

Shkon në rreth 40 numri i të vrarëve nga sulmi në shkollën e Ugandës, shumica nxënës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rreth 40 persona, shumica nxënës, janë vrarë në një shkollë në pjesën perëndimore të Ugandës nga rebelët e lidhur me ISIS-in.

Tetë persona të tjerë janë në gjendje kritike pas sulmit në shkollën “Lhubiriha” në Mpondwe.

Në mesin e të vdekurve janë disa djem që ishin duke qëndruar në konviktet e shkollës, raporton televizioni BBC.

Forcat Aleate Demokratike – grup ugandas me bazë në Republikën Demokratike të Kongos – është fajësuar për sulmin e së premtes.

Disa prej djemve u dogjën ose u copëtuan për vdekje, tha gjeneral-major Dick Olum për medie. Ai shtoi se disa persona të tjerë, kryesisht vajza, janë rrëmbyer nga grupi i rebelëve.

Thuhet se disa prej trupave janë aq keq të djegur, saqë do të nevojiten testet e ADN-së për t’i identifikuar.

Në mesin e të vdekurve mund të ketë edhe pjesëtarë të komunitetit më të gjerë. Disa nxënës janë ende të zhdukur.

Ushtarët e Ugandës janë duke i ndjekur rebelët në drejtim të Parkut Kombëtar “Virunga, që është më i madhi dhe më i vjetri në Afrikë.

Gjeneral-majori Olum tha se forcat e sigurisë kishin të dhëna të inteligjencës se rebelët ndodheshin në zonën kufitare, në anën e Republikës Demokratike të Kongos, të paktën dy ditë para sulmit që ndodhi të premten natën.

Në qershorin e vitit 1998, 80 studentë ishin djegur për vdekje në konvikte nga një sulm i Forcave Aleate Demokratike në Institutin Teknik të Kichwamba-s, afër kufirit me Republikën Demokratike të Kongos. Mbi 100 studentë ishin rrëmbyer.

Lajme të ngjashme