Shkon në mbi 1.000 numri i të vdekurve nga kolera në Malavi - NACIONALE

Shkon në mbi 1.000 numri i të vdekurve nga kolera në Malavi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Numri i të vdekurve nga përhapja e kolerës në Malavi, shtet i vogël në pjesën jugore të Afrikës, ka shkuar në mbi një mijë, ndërsa numri i rasteve ka arritur në 30 mijë e 621, që është më i larti i regjistruar ndonjëherë në këtë vend, njoftoi të mërkurën ministrja e Shëndetësisë, Khumbize Chiponda.

Shumica e vdekjeve kanë ndodhur në dy qytetet kryesore, Lilongwe dhe Blantyre, ku fëmijët rishtazi janë kthyer në shkolla, pasi procesi mësimor ishte shtyrë në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e sëmundjes së rëndë.

Ministrja Chiponda u bëri thirrje njerëzve që të kenë kujdes të veçantë gjatë trajtimit të trupave të viktimave të kolerës para varrosjes së tyre, raporton agjencia “Reuters”.

“Njerëzit që po vdesin nga kolera, mund të pastrohen nga anëtarët e familjes, të cilët pastaj përgatitin ushqim me rastin e funeralit. Përhapja e kolerës zakonisht vjen pas këtyre organizimeve”- tha ajo.

Ministrja u bëri thirrje njerëzve që të kryejnë procedura të duhura të dezinfektimit me klor dhe të përdorin qese plastike për vendosjen e kufomave.

Kolera rregullisht e godet Malavin gjatë periudhës së reshjeve, nga nëntori deri në mars, por kësaj radhe është shënuar rritje jashtëzakonisht e lartë e infektimit të njerëzve. Numri i zakonshëm vjetor i vdekjeve nga kolera në Malavi është rreth 100.

Zyrtarët shëndetësorë thanë javën e kaluar se disa klinika në Malavi, shtet që ka marrë 2,7 milionë doza të vaksinës kundër kolerës përmes një programi të OBSh-së, po mbeten me pak furnizime.

Lajme të ngjashme