Shkon në gati 40 numri i të vdekurve në pelegrinazhin masiv indian - NACIONALE

Shkon në gati 40 numri i të vdekurve në pelegrinazhin masiv indian

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gati 40 trupa janë sjellë në morgun e një spitali pas shtypjes së njerëzve në pelegrinazhin “Maha Kumbh Mela” në veri të Indisë të mërkurën, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” tri burime policore, përderisa dhjetëra miliona njerëz u grumbulluan për t’u larë në lumë gjatë festivalit gjashtëjavor.

Në morgun e spitalit lokal “Moti Lal Nehru” ende po silleshin trupa, edhe pas më shumë se 12 orëve pas tragjedisë në tubimin më të madh të njerëzimit në botë, edhe pse autoritetet qeveritare ende nuk i njoftuan zyrtarisht shifrat e viktimave, raporton agjencia “Reuters”.

“Po sillen më shumë trupa. Ne kemi gati 40 trupa këtu. Po i transferojmë jashtë dhe po ua dorëzojmë familjeve një nga një” – tha njëri nga burimet.

Zyrtari i lartë policor, Vaibhav Krishna, kur u kontaktua për koment, tha se policia nuk mund të jepte shifra zyrtare, sepse ishte e zënë me menaxhimin e turmave.

Të afërm të shqetësuar prisnin në radhë për t’i identifikuar personat që kishin vdekur në tollovi, e cila ndodhi kur turmat u dyndën drejt vendit ku bashkohen tre lumenj, ku zhytja në ujë konsiderohet posaçërisht e shenjtë, sipas besimit të pjesëmarrësve.

Disa dëshmitarë thanë se pati një shtyrje të madhe, e cila e shkaktoi rrëzimin e disa njerëzve mbi njëri-tjetrin, ndërsa të tjerë thanë se mbyllja e rrugëve drejt vendit të ujit e shkaktoi ngecjen në vend të turmës së dendur dhe njerëzit kolapsuan për shkak të ngulfatjes.

Një zyrtar në spitalin SRN të qytetit Praygraj, ku u dërguan disa prej të lënduarve, tha se ata që vdiqën kishin vdekur kishin pësuar sulm në zemër ose kishin probleme të tjera shëndetësore si diabeti./Nacionale

Lajme të ngjashme