Shkon në gati 4.400 numri i të vrarëve në Gaza, rritet edhe shifra e viktimave fëmijë
Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka thënë se të paktën 4.385 persona janë vrarë në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Sipas kësaj ministrie, në mesin e viktimave janë 1.756 fëmijë, raporton gazeta“The Times of Israel”.
Të premten, i njëjti organ kishte raportuar për gjithsej 4.127 viktima, përfshirë 1.661 fëmijë.
Shifrat e reja të shtunën nënkuptojnë se për 24 orë janë regjistruar mbi 250 viktima të reja, përfshirë gati 100 fëmijë.
Zyra e OKB-së për Bashkërendimin e Çështjeve Humanitare paralajmëroi të enjten se në Gaza, spitalet janë buzë kolapsit për shkak të mungesës së energjisë elektrike, ilaçeve, pajisjeve e personelit.
Në anën tjetër, në Izrael që nga fillimi i konfliktit raportohet të jenë vrarë rreth 1.400 persona.