Shkon në gati 100 numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm në Kinë
Së paku 100 njerëz tashmë dihet se kanë vdekur, ndërsa 130 të tjerë janë lënduar nga tërmeti i fuqishëm prej 6,8 shkallësh që ndodhi në pjesën veriore të Himalajeve të martën.
Epiqendra e tërmetit ishte rreth 80 kilometra në veri të Malit Everest, pika më e lartë në botë dhe destinacion i popullarizuar për alpinistët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin dhe Zvogëlimin e Rreziqeve nga Fatkeqësitë në Nepal tha se dridhjet u ndien në shtatë distrikte të këtij shteti që kufizohen me Tibetin.
“Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë informatë për humbje jete apo prone. I kemi mobilizuar policinë, forcat e sigurisë dhe autoritetet lokale për të mbledhur të dhëna” – tha zëdhënësi i këtij institucioni, Dizan Bhattarai.
Ndikimi i tërmetit u ndie në mbarë rajonin Shigatse të Tibetit, ku jetojnë rreth 800 mijë njerëz. Rajoni administrohet nga qyteti Shigatse.
Presidenti kinez, Xi Jinping, tha se përpjekje maksimale të kërkim-shpëtimit duhet të kryhen për ta minimizuar numrin e viktimave, duke i rivendosur në mënyrën e duhur njerëzit e prekur dhe për të siguruar një dimër të sigurt dhe të ngrohtë.
Më shumë se 1.500 zjarrfikës lokalë dhe punëtorë shpëtimi janë dislokuar në zonat e prekura, raportoi agjencia shtetërore kineze e lajmeve, “Xinhua”.