Shkon në 90 numri i viktimave të vërshimeve në Brazil, mbi 130 të zhdukur
Numri i të vdekurve nga vërshimet në Brazil ka shkuar në 90, pasi reshjet e dendura në shtetin Rio Grande do Sul shkaktuan atë që autoritetet e kanë cilësuar si fatkeqësinë më të rëndë klimatike në jug të vendit.
Më shumë se 155 mijë njerëz janë zhvendosur dhe aeroporti kryesor në qytetin e pestë më të madh të Brazilit është mbyllur, raporton gazeta “The Guardian”.
Në fotografitë e shkrepura në aeroportin “Porto Alegre”, njëri nga më të ngarkuarit në Brazil, shihet terminali kryesor tërësisht i vërshuar dhe një aeroplan mallrash i parkuar në hapësirë të mbuluar me ujë pranë një palë shkallëve gjysmë të zhytura.
Të paktën 361 persona janë lënduar dhe 131 të tjerë janë zhdukur gjatë asaj që guvernatori shtetëror, Eduardo Leite, e quajti “katastrofa më e madhe klimatike ndonjëherë”. Më shumë se 48 mijë njerëz po banojnë në dhjetëra strehimore.
“Shteti është duke u ballafaquar me një gjendje të ngjashme me luftën” – tha Leite para gazetarëve të dielën, ndërsa presidenti Luiz Inacio Lula da Silva shkoi për ta vizituar rajonin dhe për t’i shikuar përpjekjet për shpëtim.
“Kjo është nga ato ngjarjet që do të futet në histori” – shtoi guvernatori Leite, i cili e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në 397 nga 497 qytetet e qytezat e shtetit jugor brazilian.
Njëri nga qytetet më prekura është kryeqyteti rajonal, Porto Alegre, i cili shtrihet buzë Lumit Guaiba. Niveli i ujit në lumë e arriti rekordin prej 5,33 metrash të dielën në mëngjes – edhe më lart se gjatë vërshimeve historike të vitit 1941, kur kishte rënë shi për më shumë se 20 ditë vazhdimisht.
Në mbarë shtetin Rio Grande do Sul, vlerësohet se rreth 1,3 milion njerëz janë prekur nga fatkeqësia e shkaktuar nga një javë me reshje intensive, sipas autoriteteve lokale.