Shkon në 67 numri i të vdekurve nga zjarret në Hawai - NACIONALE

Shkon në 67 numri i të vdekurve nga zjarret në Hawai

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka shkuar në 67 numri i të vdekurve nga zjarret në Hawai, duke e bërë këtë rast fatkeqësinë më të rëndë natyrore në historinë e shtetit.

Qindra të tjerë janë raportuar të zhdukur dhe numri i viktimave mund të rritet përsëri, raporton televizioni BBC.

Banorët në Lahania janë lejuar që të kthehen për pak kohë në shtëpi të premten për ta parë dëmin në qytezën e tyre.

Ata u kthyen mes paralajmërimesh se do të hasnin në “shkatërrim që nuk e kanë parë kurrë në jetën e tyre”.

Ora policore do të zbatohet nga ora 22 deri në orën 6 dhe qasja në disa prej pjesëve më të goditura të qytezës mbetet e kufizuar vetëm për personelin e kërkim-shpëtimit.

Në pjesën perëndimore të ishullit Maui, ku Lahaina ndodhet, ende nuk ka rrymë dhe ujë. Ekipet e kërkim-shpëtimit ende janë duke kërkuar viktima të mundshme të zjarrit.

Kërkimi e përfshin edhe ujin. Roja Bregdetare tha se kishte nxjerrë 17 persona gjallë nga uji deri më tani afër limanit të qytezës. Raportohet se të gjithë ishin në gjendje stabile.

Guvernatori Josh Green i paralajmëroi banorët të premten se ajo që do ta gjenin në Lahaina do të ishte e vështirë.

“Lahaina është zonë e shkatërruar. Ata do të shohin shkatërrim siç nuk kanë parë kurrë në jetën e tyre. Jini të sigurt, jini shumë të kujdesshëm”- tha ai, pasi e vizitoi qytezën të enjten.

Sipas tij, do të nevojiten shumë vjet për ta riparuar dëmin e shkaktuar nga zjarret në ishullin Maui. Më shumë se një mijë ndërtesa janë shkatërruar në Lahaina, qytezë bregdetare me histori të pasur, që tërheq rreth dy milionë turistë në vit.

Lajme të ngjashme