Shkon në 53 numri i të vdekurve nga zjarret në Hawai - NACIONALE

Shkon në 53 numri i të vdekurve nga zjarret në Hawai

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zjarret e ashpra, që e kanë përfshirë ishullin Maui në Hawai, kanë shkaktuar të paktën 53 viktima, thanë të enjten zyrtarët, duke paralajmëruar se ky numër ka gjasë që të vazhdojë të rritet.

Zjarret katastrofale, të cilat shndërruan lagje në shkrumb dhe shkatërruan më shumë se një mijë struktura, ka gjasë që të jenë fatkeqësia më e madhe natyrore e këtij vendi, tha guvernatori. Pritet që numri i viktimave të shkojë në mbi 61, sa kishin vdekur nga cunami i vitit 1960, raporton gazeta “The Guardian”.

“Nuk dimë se sa njerëz të vdekur kemi. Kur kjo thuhet e bëhet krejt, ne thjesht nuk dimë”- tha komandanti i policisë në Maui, John Pelletier, në një konferencë për gazetarë të enjten në mbrëmje.

Fatkeqësia nisi të martën natën, kur tri zjarre shpërthyen në Maui, duke e izoluar pjesën perëndimore të ishullit. Flakën lëvizën aq shpejt, saqë disa të mbijetuar arritën të iknin vetëm duke kërcyer në oqean dhe u desh të shpëtoheshin nga roja bregdetare. Të paktën 30 persona u lënduan, duke pësuar djegie dhe thithje të tymit, ndërsa mijëra janë zhvendosur.

Ekipet e shpëtimit i kanë vazhduar përpjekjet masive për evakuim dhe kërkimin për të mbijetuar, përderisa banorët po përpiqen që ta marrin veten nga ai që duket shkatërrim i gjerë, sidomos në komunitetin historik të Lahaina-s, që është shkatërruar pothuajse tërësisht.

Guvernatori i Hawait, Josh Green, i përshkroi zjarret si “me gjasë fatkeqësia më e madhe natyrore” në historinë e këtij shteti. “Ajo që e kemi parë ka qenë katastrofale”- tha ai.

“Shkalla e plotë e shkatërrimit të Lahaina-s do t’ju tmerrojë. Duket sikur ka shpërthyer një bombë”- shtoi guvernatori. Sipas tij, rimëkëmbja do të marrë vite dhe miliarda dollarë, por se qyteza do të rindërtohet.

Lajme të ngjashme