Shkon në 6 numri i të vdekurve pas aksidentit të mbrëmshëm në Holandë
Rritet numri i të vdekurve në aksidentin e mbrëmshëm në qytetin holandez të Nieuw-Beijerland pranë Roterdamit. NOS raporton se kanë humbur jetën 6 persona dhe kanë mbetur të plagosur 7. Një nga të plagosurit është në gjendje kritike për jetën.
Shumica e të vdekurve ishin nga Nieuw-Beijerland. Dy burra të moshës 50 dhe 62 vjeç dhe dy gra të moshës 32 dhe 75 vjeç vdiqën. Një burrë 41-vjeçar dhe një grua 28-vjeçare nga Goudswaard aty pranë vdiqën gjithashtu.
Tre të vdekur nga e njëjta familje
Televizioni rajonal Rijnmond raporton se në Bethelkerk në Oud-Beijerland, u njoftua se tre personat që vdiqën ishin nga e njëjta familje. Bëhet fjalë për një nënë, djalë dhe nuse e cila ishte në muajin e tetë shtatzënë.
"Ne pamë këmbët poshtë kamionit. Këto pamje do të na mbeten përgjithmonë në kujtesën", thanë disa nga dëshmitarët. “Të gjithë ishin në panik, të gjithë përpiqeshin të ndihmonin. Emergjenca ishte e zënë, por kishte shumë të lënduar”, vijojnë ata.
Kamioni drejtohej nga një 46-vjeçar spanjoll i cili nuk ishte nën efektin e alkoolit, nuk u lëndua dhe u dërgua në komisariatin e afërt pas aksidentit. Nuk ka ende informacion nëse bëhet fjalë për një aksident apo një ngjarje të synuar. Për aksidentin ka reaguar edhe kryeministri Mark Rutte. Ai iu shprehu ngushëllime familjarëve në Twitter. /Nacionale/