Shkencëtarët e BE-së: Viti 2023 do të jetë më i nxehti që është regjistruar ndonjëherë
Shkencëtarët evropianë thanë të mërkurën se viti 2023 do të jetë më i nxehti që është regjistruar ndonjëherë, pasi temperatura mesatare globale për 11 muajt e parë të vitit shkoi në nivelin më të lartë që është regjistruar ndonjëherë, 1,46 gradë Celsius mbi mesataren gjatë periudhës 1850 – 1900.
Ky rekord vjen në kohën e bisedimeve të gjata të qeverive nëse për herë të parë të vendoset heqja nga përdorimi i thëngjillit, naftës dhe gazit, që janë burime kryesore të gazrave ngrohëse. Këto diskutime po zhvillohen në samitin e OKB-së për klimën në Dubai, raporton agjencia “Reuters”.
Temperatura për periudhën janar – nëntor ishte për 0,13 gradë më e lartë se mesatarja gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2016, që tash për tash është viti kalendarik më i nxehtë që është regjistruar ndonjëherë, tha Shërbimi i Ndryshimit të Klimës “Copernicus”.
Nëntori i këtij viti ishte nëntori më i nxehtë në nivel global që është regjistruar ndonjëherë, me temperaturë mesatare në sipërfaqe prej 14,22 gradësh, 0,85 gradë mbi mesataren për muajin nëntor gjatë periudhës 1991 – 2020 dhe 0,32 gradë mbi nivelin e nëntorit më të nxehtë të mëparshëm, më 2020, shtoi ky shërbim.
Ky vit “tash ka pasur gjashtë muaj me thyerje rekordesh dhe dy stinë me thyerje rekordesh. Temperaturat e jashtëzakonshme globale në nëntor, përfshirë dy ditë më të ngrohta se 2 gradë mbi nivelin e periudhës paraindustriale, nënkuptojnë se viti 2023 është viti më i nxehtë në historinë e regjistruar”- tha Samantha Burgess, zëvendësdrejtoreshë e shërbimit “Copernicus”.
Bashkimi Evropian ka disa nga politikat më ambicioze kundër ndryshimit të klimës, duke miratuar ligje për ta arritur cakun në vitin 2030 për zvogëlimin e lirimit të gazrave për 55 për qind në krahasim me nivelet e vitit 1990, cak për të cilin analistët thonë se është minimumi që nevojitet për të arritur nivel zero të gazrave deri në vitin 2050.
