Shkarkohet nga Qeveria deputeti britanik që bëri thirrje për armëpushim në Gazë - NACIONALE

Shkarkohet nga Qeveria deputeti britanik që bëri thirrje për armëpushim në Gazë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Paul Bristow, deputet i Partisë Konservatore në pushtet në Britani të Madhe, është shkarkuar nga një pozitë që e mbante në Qeveri, pasi i kishte bërë thirrje publikisht kryeministrit Rishi Sunak që ta mbështeste armëpushimin e përhershëm në Gazë.

Bristow-i u shkarkua nga pozita e ndihmësit ministror në Departamentin për Shkencë, Inovacion dhe Teknologji të hënën, pasi i shkroi kryeministrit Sunak për të kërkuar prej tij që të bënte thirrje për përfundim të armiqësive mes Izraelit e Hamasit për ta shpëtuar jetën e njerëzve, raporton gazeta “The Guardian”.

Javën e kaluar, Sunaku bëri thirrje për pushim në luftimet në Gaza për ta lejuar arritjen e më shumë ndihmave humanitare në mënyrë të sigurt te civilët që nuk kanë ushqim, ujë e ilaçe, por ai nuk bëri thirrje për armëpushim të plotë.

Deputeti Bristow, për të cilin Qeveria tha se ishte shkarkuar për shkak se komentet e tij “nuk ishin në përputhje me parimet e përgjegjësisë kolektive”, bëhet anëtari i parë i deputetëve me ulëse të përparme në Kuvendin e Britanisë në të dyja anët e Dhomës së Ulët që e humb vendin e punës për shkak të thirrjes për armëpushim mes Izraelit e Hamasit.

Në një letër me dy faqe dërguar kryeministrit javën e kaluar, deputeti kishte thënë se civilët palestinezë në Gazë po ballafaqoheshin me “ndëshkim kolektiv” si rezultat i rrethimit dhe sulmeve ajrore të Izraelit pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, që shkaktoi mbi 1.400 viktima në Izrael.

“Një armëpushim i përhershëm do të shpëtonte jetë dhe do të lejonte që kolona e vazhduar e ndihmave humanitare të arrinte te njerëzit që kanë nevojë më së shumti për të”- shkroi deputeti britanik në letrën dërguar kryeministrit Sunak.

Në komente shtesë në faqen e tij në “Facebook”, deputeti Bristow tha: “Palestinezët e rëndomtë nuk janë Hamas. Kam vështirë për të parë se si Izraeli është më i sigurt pas mijëra vdekjeve të palestinezëve të pafajshëm. Ata nuk duhet të vuajnë ndëshkim kolektiv për krimet e Hamasit.”

Përmes një shkrimi në rrjetin X, anëtarja e Partisë Konservatore, Sayeeda Warsi, tha se kolegu i saj është “në anën e duhur të historisë”.

Lajme të ngjashme