Shitet në ankand penda më e shtrenjtë në botë - NACIONALE

Shitet në ankand penda më e shtrenjtë në botë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një pendë e vetme e zogut tashmë të zhdukur në Zelandë të Re, huia, ka shënuar rekord botëror, pasi është shitur me një çmim prej 46.521,50 dollarëve të Zelandës së Re ose 28.417 dollarë amerikanë.

Penda, që fillimisht pritej të shitej për vetëm tre mijë dollarë amerikanë, e theu rekordin e mëparshëm të një pende të llojit të njëjtë të zogut, duke u shitur për 450 për qind më shtrenjtë, tha shtëpia e ankandeve “Webb’s”, raporton televizioni BBC.

Zogu huia ishte i shenjtë për popullin Maori. Pendlat e tyre shpesh vendoseshin në kokë nga prijësit dhe familjet e tyre si dhe jepeshin dhuratë ose tregtoheshin.

Hera e fundit e konfirmuar kur ishte parë një zog i tillë, ishte viti i largët, 1907, por raste të tjera të pakonfirmuara janë përmendur edhe 20 a 30 vjet më pas, sipas Muzeut të Zelandës së Re.

Penda e shitur të hënën është “në gjendje të mrekullueshme”, tha Leah Morris, drejtoreshë e Arteve Dekoruese në shtëpinë e ankandeve “Webb’s”.

Sipas saj, interesimi i lartë dhe entuziazmi i banorëve të Zelandës së Re gjithashtu ndikuan në arritjen e çmimit rekord.

Penda është e regjistruar si “taonga tuturu”, sipas një sistemi për mbrojtjen e objekteve të popullit Maori. Vetëm koleksionistë që kishin licencë në sistem kishin të drejtë për të marrë pjesë në garë për blerjen e pendës. Penda nuk mund të nxirret jashtë shtetit pa leje nga Ministria e Kulturës dhe Trashëgimisë.

Lajme të ngjashme