Shifër masive: Zjarret në Los Angeles pritet të jenë më të kushtueshmet në historinë e ShBA-së - NACIONALE

Shifër masive: Zjarret në Los Angeles pritet të jenë më të kushtueshmet në historinë e ShBA-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ekipet e zjarrfikësve po mundohen që t’i vënë nën kontroll zjarret që po përhapen nëpër Los Angeles para se erërat e fuqishme që janë parashikuar të rrezikojnë që t’i forcojnë edhe më shumë flakët. Këto zjarre, që mund të bëhen më të shtrenjtat në historinë e Shteteve të Bashkuara, kanë lënë 24 të vdekur, kanë detyruar mijëra njerëz që të zhvendosen nga shtëpitë e tyre, kanë shkatërruar më shumë se 12 mijë struktura dhe rreth 100 mijë njerëz janë nën urdhra për evakuim.

Erëra të qëndrueshme me shpejtësi deri në 64 kilometra në orë dhe erërat malore që mund të arrijnë shpejtësi deri në 105 kilometra në orë priten gjatë ditës së mërkurë, sipas parashikuesve të motit. Erërat u forcuan të hënën dhe pritej të forcoheshin edhe të martën, sipas analistit të zjarreve, Dennis Burns, raporton gazeta “The Guardian”.

Zjarret filluan të martën e kaluar, të nxitura nga erërat e forta “Santa Ana”, për të cilat ekspertët presin që të rikthehen të paktën në mesjavë. Departamenti i Pylltarisë dhe i Mbrojtjes nga Zjarri i Kalifornisë ka raportuar se zjarret “Palisades”, “Eaton”, “Kenneth” dhe “Hurst” kanë konsumuar sipërfaqe prej rreth 160 kilometrash katrorë.

Zjarri “Palisades”, përgjatë bregdetit, ka shkaktuar tetë viktima, ndërsa zjarri “Eaton”, më brenda territorit tokësor”, ka lënë të vdekur 16 të tjerë, ka thënë zyra e mjekut ligjor në distriktin e Los Angelesit. Të paktën 23 njerëz janë të zhdukur dhe autoritetet thonë se numri pritet të rritet.

Hetuesit ende po mundohen që të zbulojnë se çfarë i ka nxitur zjarret, të cilat mund të jenë më të kushtueshmet në historinë e vendit. Agjencitë qeveritare ende nuk kanë ofruar vlerësime preliminare për dëmet, por kompania “AccuWeather”, e cila ofron të dhëna rreth motit dhe ndikimit të tij, ka vlerësuar se bëhet fjalë për dëme me vlerë nga 250 miliardë deri në 275 miliardë dollarë.

Fryrja e çmimeve është bërë problem sa u përket hoteleve, qirave afatshkurtra dhe furnizimeve mjekësore. Mashtruesit gjithashtu po kërkojnë donacione për operacione të rreme për ndihma dhe rimëkëmbje, sipas autoriteteve.

Lajme të ngjashme