Shemben skelat e drunjta në një kishë në Etiopi, të paktën 36 të vdekur
Së paku 36 njerëz e humbën jetën dhe më shumë se 200 të tjerë u lënduan në një festival fetar në pjesën qendrore të Etiopisë, kur skelat e drunjta u shembën mbi ta brenda një kishe të ndërtuar pjesërisht, thanë policia dhe një i mbijetuar.
Struktura e përkohshme nga druri u shemb të mërkurën nën peshën e besimtarëve që po e vizitonin kishën “Arerti St Mary” në Minjar Shenkora Woreda, në rajonin Amhara, tha komandanti i policisë lokale, Ahmed Gebeyehu, raporton agjencia e lajmeve.
Gebeyehu tha se numri i të vdekurve mund të rritet, sepse disa nga të lënduarit ishin në gjendje kritike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ajo që e shkaktoi dëmin ishte kur skelat ranë. Ato thjesht i shtypën njerëzit nën to. Disa që ndodheshin anash vrapuan jashtë, por ata që ishin në mes u shuan” – tha Tadesse Tesfaye, i mbijetuar.
Një ditë pas incidentit, këpucët dhe sandalet e viktimave u panë të grumbulluara në tokë, afër pjesëve të skelave të rrëzuara.
Skelat mbetën të shpërndara nën kubenë e pikturuar rishtazi./Nacionale