Shefi i "Wagner"-it shqetësohet për trajnimin e ukrainasve: Do të jenë teknologjikisht të arsimuar
Shefi i grupit "Wagner", Yevgeny Prigozhin, shprehu shqetësim të premten për kundërofensivën e Ukrainës dhe për trajnimin e ushtarëve ukrainas në Gjermani.
"Sot, ne po i vrasim ata që janë trajnuar në Ukrainë, por ata që do të vijnë nga Gjermania do të jenë teknologjikisht të arsimuar"- tha Prigozhini në një audio-incizim të publikuar në rrjetin "Telegram", duke iu referuar ukrainasve që do të trajnohen në Gjermani për përdorimin e tankeve "Abrams" të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara.
"Perëndimi ka dhuruar mbi 230 tanke e 1.500 automjete të tjera të blinduara. Kjo, gjithashtu, është e mjaftueshme për të ofruar opozitë serioze"- shtoi ai, raporton agjencia "Reuters".
Ai parashikoi se Ukraina do të sulmojë, kur toka të jetë tharë pas reshjeve të pranverës. "Ata do të sulmojnë... do të vijnë dhe do të mundohen që të na copëtojnë dhe ne duhet të rezistojmë"- tha udhëheqësi i grupit famëkeq.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të premten se trupat sulmuese të saj ishin duke luftuar në pjesët perëndimore të qytetit Bakhmut, pjesa e fundit që po mbahet ende nga forcat ukrainase në atë vendbanim.
Ukraina ka pranuar se forcat ruse kanë nëshuar disa avancime gjatë luftimeve të ashpra për Bakhmutin, por ka shtuar se situata është nën kontroll.
"Po merren vendime sipas përshtatshmërisë ushtarake"- tha në rrjete sociale zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në një video-adresim se vendi i tij është duke përgatitur në mënyrë aktive njësite të reja që ende nuk janë shfaqur në vijën e frontit. Ai dhe zyrtarë të tjerë kanë premtuar se forcat ukrainase do të kryejnë një kundërofensivë ndaj ushtrisë armike.

