Shefi i CIA-s ka bërë vizitë sekrete në Ukrainë dhe është takuar me Zelenskyn
Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës të Shteteve të Bashkuara (CIA), William Burns, e ka vizituar Ukrainën rishtazi, ku është takuar me homologët e tij ukrainas dhe me presidentin Volodymyr Zelensky, konfirmoi të premten një zyrtar amerikan.
Për këtë udhëtim nuk ishte raportuar në kohën e realizimit të tij dhe veprimi u bë gjatë kohës së kundërsulmit të forcave ukrainase, raporton gazeta “The Guardian”.
Agjencia AFP raporton se gjatë vizitës, Burns-i e rikonfirmoi “përkushtimin e ShBA-së për të ndarë të dhëna të inteligjencës që të ndihmohet Ukraina për t’u mbrojtur kundër agresionit rus”, tha zyrtari amerikan.
Sipas gazetës “The Washington Post”, e cila raportoi e para për këtë vizitë, zyrtarët ukrainas i ndanë planet për të rimarrë nën kontroll territore të pushtuara nga rusët dhe për t’i filluar bisedimet për armëpushim nga fundi i vitit.
Burns-i “udhëtoi në Ukrainë siç ka vepruar rregullisht që nga fillimi i agresionit rus para më shumë se një viti”- tha zyrtari amerikan. Gazeta e njohur amerikane raportoi se vizita u realizua në qershor.
Udhëtimi u krye para fillimit të kryengritjes 24-orëshe të mercenarëve të udhëhequr nga Yevgeny Prigozhini në Rusi, sipas zyrtarit amerikan.
Kjo kryengritje, e vlerësuar gjerësisht si kërcënimi më i madh ndaj autoritetit të Kremlinit në dekadat e fundit, “nuk ishte temë diskutimi”, shtoi zyrtari.
