Shefi i CIA-s ndodhej në Kiev gjatë sulmeve të Rusisë në këtë qytet
Shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) të ShBA-së, William Burns, ishte të martën në Kiev për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe homologun e tij të inteligjencës, sipas një zyrtari amerikan.
Sipas këtij zyrtari, Burns-i ishte i sigurt në ambasadën amerikane gjatë sulmeve ruse në pjesë të ndryshme të Ukrainës, përfshirë shpërthimet në kryeqytetin ukrainas, raporton televizioni CNN.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Ukrainë u zhvillua menjëherë pas qëndrimit të tij në Turqi të hënën, ku u takua me homologun rus, Sergey Naryshkin. Kjo është hera e dytë brenda më pak se një muaji që ai publikisht e viziton Kievin.
Burns-i dhe disa zyrtarë të tjerë amerikanë kanë thënë publikisht se nuk shohin dëshmi që Rusia është duke u përgatitur në mënyrë aktive për të përdorur armë bërthamore në Ukrainë, por zyrtarët e afërt me inteligjencën paralajmërojnë se rreziku për një gjë të tillë është ndoshta më i larti që nga fillimi i luftës në shkurt.
Shefi i CIA-s ishte dërguar në Moskë në nëntorin e vitit të kaluar, para se Rusia ta fillonte pushtimin e Ukrainës, për ta paralajmëruar Rusinë për pasojat e luftës. Ai është përfshirë në diskutime me homologun rus edhe për qytetarët amerikanë të ndaluar në Rusi.