ShBA thotë se Rusia po i ekzekuton ushtarët që nuk duan të luftojnë
Shtëpia e Bardhë ka thënë se Rusia është duke ekzekutuar ushtarët që përpiqen të largohen nga ofensiva e përgjakshme në Ukrainën lindore.
Sipas SHBA-së, disa nga viktimat ishin në Avdiivka dhe vrasja e tyre kishte ndodhur me “urdhër të udhëheqësve të tyre”
Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase ka thënë se trupat ruse po refuzonin të sulmonin pozicionet ukrainase pranë Avdiivka për shkak të humbjeve të mëdha dhe ka shtuar se në disa njësi ka pasur rebelime.
"Forcat e mobilizuara ruse mbeten të patrajnuara, të papajisura dhe të papërgatitura për luftime, siç ishte rasti gjatë ofensivës së tyre të dështuar dimërore vitin e kaluar," – ka thënë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby në një konferencë të enjten.
Kujtojmë se trupat ruse dhe ukrainase janë përfshirë në një betejë të ashpër për qytetin e vijës së parë që nga mesi i tetorit, ndërsa mendohet se Rusia ka pësuar humbje të mëdha.
Ndërkohë sipas vlerësimeve ukrainase numri i viktimave ruse në Avdiivka është 5,000, ndërsa ShBA thotë se Rusia ka humbur "të paktën" 125 automjete të blinduara dhe pajisje të tjera me vlërë.
