Franca bën thirrje që në Gaza të lejohet hyrja e qindra kamionëve me ndihma në ditë
Ministrja e Jashtme e Francës, Catherine Colonna, tha të premten në një intervistë se qindra kamiona me ndihma në ditë duhet të lejohen që të hyjnë në Gaza sa më shpejt që është e mundshme.
“Është absolutisht e nevojshme që të futen ndihmat në Gaza në mënyrë të qëndrueshme sa më shpejt që është e mundshme, në vëllime dukshëm më të mëdha”- tha kryediplomatja franceze, duke shtuar se inspektimet ndaj kamionëve me ndihma janë “pengesë reale” për qarkullimin e furnizimeve të nevojshme, raporton televizioni CNN.
Qeveria franceze njoftoi një dërgesë 50-tonëshe me ndihma të enjten për Gazën, ku përfshihen ilaçe, ushqim dhe tenda, tha të premten një burim i Ministrisë së Jashtme, duke shtuar se popullsia e Gazës ka “nevoja të pamasë e në rritje”.
Mungesa e garancisë se do të lejohet hyrja e ndihmave franceze në Gaza është pengesa më e madhe me të cilën po ballafaqohen operacionet e ndihmave, tha ky burim, duke shtuar se “nuk ka trajtim të posaçëm për ndihmat e Francës”.
Burimi i ministrisë franceze tha se ndihmat pritet të nisen të shtunën me aeroplan për në Egjipt pas disa shtyrjeve për shkak të gjetjes së aeroplanit dhe pajisjeve logjistike që janë të përshtatshme për qendrën e përcaktuar nga autoritetet egjiptiane për grumbullimin e ndihmave për Gazën.
Ministrja Colonna tha se në Gaza ndodhen 170 persona të cilëve vendi i saj dëshiron t’ua garantojë sigurinë, përfshirë rreth 50 shtetas francezë, punëtorë të organizatave joqeveritare, familjet e tyre dhe punëtorët e qendrës kulturore franceze në Gaza.
Thirrja e ministres franceze për ndihma për enklavën e izoluar palestineze erdhi pas njoftimit të Bashkimit Evropian për ndarjen e 50 milionë eurove shtesë për ndihma humanitare për Gazën.
