ShBA thotë se ka vrarë 13 anëtarë të grupit terrorist al-Shabaab në Somali - NACIONALE

ShBA thotë se ka vrarë 13 anëtarë të grupit terrorist al-Shabaab në Somali

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Komanda Amerikane për Afrikë ka njoftuar se një sulm ajror i ShBA-së në Somali gjatë fundjavës ka lënë të vrarë 13 anëtarë të grupit terrorist al-Shabaab.

Bëhet e ditur se Shtetet e Bashkuara e kanë kryer sulmin e së dielës me mbështetje të ushtrisë somaleze, ndërsa është njoftuar poashtu se nga ky sulm nuk është plagosur apo vrarë asnjë civil.

Sipas deklaratës së dhënë, javën e kaluar, ShBA ka kryer tre sulme ajrore kundër al-Shabaab në perëndim të vendit.

Kujtojmë se në muajin maj, presidenti Joe Biden vendosi të ridislokojë trupat amerikane në Somali në mbështetje të qeverisë dhe kundër al-Shabaab. Veprim ky që hodhi poshtë një vendim të ish-presidentit Donald Trump për të tërhequr të gjitha trupat amerikane nga vendi.

Në atë kohë, një zyrtar i lartë i administratës tha se "nën 500" trupa po ktheheshin në vend, por nuk pranoi të jepte një numër të saktë. Megjithatë, ata theksuan se Pentagoni nuk do të rivendoste kontigjentin e plotë të rreth 750 anëtarëve të shërbimit të pranishëm në Somali përpara tërheqjes së Trump.

Komanda e Afrikës, poashtu tha se një sulm ajror amerikan në korrik ka vrarë edhe dy anëtarë të al-Shabaab ndërsa një tjetër i realizuar në qershor ka vrarë pesë anëtarë të organizatës terroriste.

Lajme të ngjashme