SHBA kërkon që Ukraina të tërhiqet nga Donbasi dhe të krijohet një “zonë e lirë ekonomike”, thotë Zelenskyy - NACIONALE

SHBA kërkon që Ukraina të tërhiqet nga Donbasi dhe të krijohet një “zonë e lirë ekonomike”, thotë Zelenskyy

9 muaj më parë

nga NACIONALE

SHBA dëshiron që Ukraina t’i tërheqë trupat nga rajoni i Donbasit, dhe më pas Uashingtoni do të krijonte një “zonë të lirë ekonomike” në pjesët që aktualisht kontrollohen nga Kievi, ka thënë Volodymyr Zelenskyy,transmeton The Guardian.

Më herët, SHBA kishte sugjeruar që Kievi t’i dorëzonte Rusisë pjesët e Donbasit që i kontrollon ende, por presidenti ukrainas tha të enjten se Uashingtoni tani kishte propozuar një version kompromisi në të cilin trupat ukrainase do të tërhiqeshin, por trupat ruse nuk do të avancojnë në territorin e zbrazur.

“Kush do ta qeverisë këtë territor, të cilin ata po e quajnë ‘zonë e lirë ekonomike’ ose ‘zonë e demilitarizuar’ – nuk e dinë,” tha presidenti ukrainas, duke folur para gazetarëve në Kiev të enjten.

Zelenskyy tha se Ukraina nuk e konsideron këtë plan të drejtë pa garanci se trupat ruse nuk do ta marrin thjesht nën kontroll zonën pasi trupat ukrainase të tërhiqen.

Zelenskyy tha: “Nëse njëra palë duhet të tërhiqet dhe pala tjetër të qëndrojë aty ku është, atëherë çfarë do t’i ndalojë këta të tjerët, rusët? Apo çfarë do t’i ndalojë ata të maskohen si civilë dhe të marrin nën kontroll këtë zonë të lirë ekonomike? Kjo është shumë serioze. Nuk është e sigurt që Ukraina do të pajtohet me këtë, por nëse po flasim për kompromis, atëherë ai duhet të jetë kompromis i drejtë.”

Ai tha se, nëse Ukraina do të pajtohej me një plan të tillë, atëherë do të duhej të mbaheshin zgjedhje ose referendum për ta ratifikuar atë, duke thënë se vetëm “populli ukrainas” mund të marrë vendime për dorëzimin e territoreve.

Lajme të ngjashme