ShBA-ja zhvillon sot bisedime të reja me Rusinë për Ukrainën në Arabinë Saudite
Negociatorët amerikanë pritet të takohen të hënën në Arabinë Saudite me një delegacion rus për të diskutuar rreth përfundimit të luftës mes Rusisë e Ukrainës.
Bisedime të tjera u zhvilluan të dielën në mbrëmje mes Shteteve të Bashkuara e Ukrainës në Riad. Delegacioni ukrainas e përshkroi takimin si “produktiv dhe të fokusuar”, raporton televizioni BBC.
Në ndërkohë, Rusia dhe Ukraina kanë vazhduar që ta sulmojnë njëra-tjetrën. Forca Ajrore e Ukrainës tha se kishte rrëzuar 57 nga 99 dronët e lëshuar nga forcat ruse natën e kaluar, ndërsa Rusia raportoi se pengoi 28 dronë në drejtimin e kundërt.
Pjesë e delegacionit rus në bisedimet e së hënës pritet të jenë Grigory Karasin, diplomat karriere dhe shef i komisionit parlamentar për çështje ndërkombëtare në dhomën e lartë të Kuvendit të Rusisë, si dhe Sergei Beseda, këshilltar i drejtorit të agjencisë ruse të inteligjencës, FSB.
Ende nuk ishte konfirmuar se kush do të jetë pjesë e delegacionit amerikan, por një zyrtar nga ShBA-ja i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se aty do të jenë Andrew Peek nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Michael Anton, drejtor i planifikimit të politikave në Departamentin e Shtetit.
Të dielën, forcat tokësore ukrainase thanë se kishin rimarrë nën kontroll një fshat në rajonin e Luhanskut, në pjesën lindore të vendit.
Përmes një shkrimi në rrjetin “Telegram”, forcat ukrainase thanë se e morën nën kontroll fshatin Nadiya në një operacion 30-orësh dhe kapën tri kilometra katrorë territor./Nacionale