ShBA-ja ua heq vizat izraelitëve - NACIONALE

ShBA-ja ua heq vizat izraelitëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Administrata e presidentit Biden të ShBA-së njoftoi të mërkurën se do ta pranojë Izraelin në Programin për Heqjen e Vizave, duke u mundësuar shtetasve izraelitë udhëtim pa viza për në ShBA duke filluar nga 30 nëntori.

Ky vendim, për të cilin Ministria e Jashtme e Izraelit të hënën tha se ishte i pritshëm, është një fitore për qeverinë nacionaliste të kryeministrit Benjamin Netanyahu, marrëdhëniet e së cilës me Uashingtonin kanë qenë të tensionuara për shkak të planit për reformën në drejtësi dhe politikat ndaj palestinezëve, raporton agjencia “Reuters”.

Sekretari i Sigurisë së Atdheut i ShBA-së, Alejandro Mayorkas, tha se ky njoftim “i fuqizon sigurinë, lidhjet ekonomike dhe lidhjet mes njerëzve mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit”.

Palestinezo-amerikanët që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe në ShBA tani mund të hyjnë në Izrael pa viza dhe të fluturojnë me aeroplanë përmes aeroportit “Ben Gurion”, duke i pakësuar pengesat e udhëtimit për këta amerikanë, tha ShBA-ja.

Për pranimin e vendeve në programin që u lejon vizitorëve qëndrim deri në 90 ditë pa viza, Uashingtoni kërkon nga shtetet që të plotësojnë kritere për disa çështje, përfshirë luftimin e terrorizmit, sundimin e ligjit, zbatimin e masave rreth emigrantëve, sigurinë e dokumenteve dhe menaxhimin kufitar.

Shtetet duhet t’i trajtojnë edhe udhëtarët amerikanë në mënyrë të barabartë, pavarësisht se çfarë pasaportash të tjera kanë ata.

Lajme të ngjashme