ShBA-ja thotë se ka rrëzuar një dron të armatosur turk në Siri: Iu afrua forcave tona
Shtetet e Bashkuara thanë të enjten se kanë rrëzuar një dron të armatosur turk që po operonte afër trupave amerikane në Siri. Kjo është hera e parë që Uashingtoni rrëzon një pajisje fluturuese të aleatës së NATO-s, Turqisë.
Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes të Turqisë tha se droni i rrëzuar nuk u përkiste forcave të armatosura turke, por nuk tregoi se pronë e kujt ishte ai, raporton agjencia “Reuters”.
Agjencia për Inteligjencë Kombëtare e Turqisë kreu sulme ajrore kundër caqeve të militantëve kurdë pas një sulmi me bombë në Ankara fundjavën e kaluar, tha të enjten një burim turk i sigurisë.
Të enjten natën, nga sulmet ajrore turke u shkatërruan 30 caqe ushtarake kurde në veri të Sirisë, përfshirë një pus nafte, një depo dhe strehimore si dhe u “neutralizuan” shumë militantë, tha Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.
Zëdhënësi i Pentagonit, Gjeneral Brigade Pat Ryder, tha se dronët turq ishin parë duke kryer sulme ajrore në Hasakah të Sirisë të enjten në mëngjes, vetëm rreth një kilometër larg trupave amerikane. Disa orë më vonë, një dron turk shkoi më pak se gjysmë kilometri afër trupave amerikane dhe u cilësua si kërcënim dhe u rrëzua nga një aeroplan i tipit F-16.
“Ne nuk kemi shenja se Turqia po i shënjestronte qëllimisht forcat amerikane”- tha ushtaraku Ryder para gazetarëve.
Hasakah ndodhet në verilindje të Sirisë dhe Njësitet Kurde për Mbrojtje Popullore, të përbëra kryesisht nga kurdët, zënë vend kryesor në mesin e aleatëve të koalicionit të udhëhequr nga ShBA-ja kundër ISIS-it.
Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, bisedoi në telefon me homologun turk, Yasar Guler. Zëdhënësi i Pentagonit tha se biseda mes këtyre dy zyrtarëve ishte e frytshme.
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë shkroi në rrjetin X, duke thënë se ministri Guler i tha homologut amerikan se “Turqia është e gatshme për një luftë të përbashkët me ShBA-në kundër Daesh-it (ISIS-it)”.
“Të dy ministrat e theksuan rëndësinë e bashkërendimit të ngushtë të elementeve amerikane e turke në aktivitetet e kryera në rajon”- thuhet më tej në deklaratën e ministrisë turke.
Marrëdhëniet ShBA – Turqi ndodhen në një pikë të ndjeshme. Shtetet e Bashkuara po shpresojnë se Turqia do ta ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Përderisa ShBA-ja nuk ka rrëzuar më parë ndonjë pajisje fluturuese turke, tensione ka pasur edhe në të kaluarën dhe rreziku është shmangur për pak. Më 2019, trupat amerikane në veri të Sirisë ishin ballafaquar me zjarr artilerie nga pozicionet turke.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli
