Së paku 100 të vdekur nga sulmi me dronë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve në Siri - NACIONALE

Së paku 100 të vdekur nga sulmi me dronë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve në Siri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një sulm me dronë ndaj një akademie ushtarake siriane në qytetin Homs ka vrarë të paktën 100 persona dhe dhjetëra të tjerë i ka lënë të lënduar.

Dronët e ngarkuar me lëndë shpërthyese patë në shënjestër një ceremoni diplomimi, në të cilën po merrnin pjesë familjet e kadetëve. Në mesin e të vdekurve kishte gra e fëmijë, raporton televizioni BBC.

Ushtria për këtë sulm i fajësoi “grupet terroriste të mbështetura nga forca të njohura ndërkombëtare”. Rebelët dhe xhihadistët, që luftojnë kundër autoriteteve në luftë civile, nuk e morën menjëherë përgjegjësinë për sulmin.

Besohet se sulmi me dronë ishte nisur nga zonat e kontrolluara nga opozita, në veriperëndim të qytetit Homs.

Më vonë, ekipet emergjente të grupit “Helmetat e Bardha” raportuan se pesë civilë ishin vrarë nga sulmet intensive qeveritare me artileri e raketa në disa qytete, qyteza e fshatra në provincën bastion të opozitës, Idlib.

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve, “Sana”, citoi një deklaratë të Komandës së Përgjithshme të Forcave të Armatosura, ku thuhet se disa dronë me lëndë shpërthyese e vunë në shënjestër akademinë ushtarake në Homs pak pas përfundimit të ceremonisë së diplomimit.

Në deklaratë thuhet se forcat e armatosura “e konsiderojnë këtë akt si kriminal e të pashembullt dhe pohojnë se do të kundërpërgjigjen me forcë dhe vendosmëri të plotë ndaj këtyre grupeve terroriste, kudo që janë ato”.

Në një raportim të mëvonshëm, agjencia shtetërore e lajmeve e citoi ministrin e Shëndetësisë, Hassan al-Gabbash, të ketë thënë se mbi 200 persona janë lënduar nga sulmi, ndërsa gjashtë gra e gjashtë fëmijë janë në mesin e të vdekurve.

Lajme të ngjashme