ShBA-ja thotë se Izraeli mund ta ketë shkelur të drejtën ndërkombëtare me armë amerikane në Gaza
Shtetet e Bashkuara thonë se Izraeli mund të ketë përdorur armë të prodhimit amerikan në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare në disa raste gjatë luftës në Gaza.
Është “e arsyeshme që të vlerësohet” se armë të ofruara nga ShBA-ja janë përdorur në mënyra që janë “në mospërputhje” me detyrimet e Izraelit, tha Departamenti i Shtetit, raporton televizioni BBC.
Megjithatë, në raport shtohet se qeveria amerikane nuk ka “të dhëna të kompletuara” në vlerësimin e saj. Raportoi iu dorëzua Kongresit të premten pas një vonese.
Në analizën e urdhëruar nga Shtëpia e Bardhë u shqrtua se si Izraeli dhe gjashtë të tjerë të përfshirë në konflikt kanë përdorur armë të ofruara nga Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i luftës vitin e kaluar.
Përderisa raporti ishte qortim i qartë për disa operacione në Gaza, në të nuk thuhet përfundimisht se fushata e ushtrisë izraelite e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Në raport thuhet se Izraeli është dashur që të ballafaqohet me një “sfidë ushtarake të jashtëzakonshme” gjatë luftës kundër Hamasit në Gaza dhe shtohet se garancitë që janë marrë nga Izraeli për zbatimin e përdorimit të ligjshëm të armëve amerikane janë “kredibile dhe të besueshme” dhe se dërgesat e armëve mund të vazhdojnë.
Më tej, në dokument theksohet se për shkak se Hamasi “përdor infrastrukturë civile për qëllime ushtarake dhe civilë si mburoja njerëzore”, ka qenë shpesh “vështirë që të përcaktohen faktet në terren në një zonë aktive të luftës” se cilat janë caqet legjitime.
Sidoqoftë, në raport thuhet se duke e marrë parasysh mbështetjen e konsiderueshme të Izraelit në armë të prodhimit amerikan, ato ndoshta janë përdorur “në raste në mospërputhje me detyrimet sipas DHN-së [të drejtës humanitare ndërkombëtare] ose e praktikat më të mira të formuara për zbutjen e lëndimit ndaj civilëve”.
Në raport shtohet se “Izraeli i ka njohuritë, përvojën dhe mjetet për t’i zbatuar praktikat më të mira për zbutjen e lëndimit ndaj civilëve në operacionet e veta ushtarake”, por se “rezultatet në terren, përfshirë nivelet e larta të viktimave civile, ngrenë pyetje thelbësore për atë nëse FMI-ja [Forcat e Mbrojtjes të Izraelit] është duke i përdorur ato në mënyrë efikase në të gjitha rastet”.
Tutje, në raport thuhet se OKB-ja dhe organizatat humanitare i kanë përshkruar përpjekjet izraelite për zbutjen e lëndimit të civilëve si “jokonsistente, joefikase dhe jo të duhura”.