ShBA-ja thotë se aeroplani kinez J-11 iu afrua veç tri metra larg bombarduesit B-52, duke rrezikuar aksident - NACIONALE

ShBA-ja thotë se aeroplani kinez J-11 iu afrua veç tri metra larg bombarduesit B-52, duke rrezikuar aksident

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka thënë se një aeroplan luftarak kinez i tipit “Shenyang J-11” i është afruar në një largësi prej pak më shumë se tri metrash bombarduesit amerikan B-52 mbi Detin e Kinës Jugore, dhe për pak nuk ka shkaktuar aksident.

Gjatë fluturimit natën, aeroplani kinez iu afrua aeroplanit amerikan “me shpejtësi të tepërt e të pakontrolluar, duke fluturuar nën, përfundi, përballë dhe brenda rreth tri metrave nga B-52, duke i vënë të dy aeroplanët në rrezik të përplasjes”, thuhet në një deklaratë të Komandës së Indo-Paqësorit të ushtrisë së ShBA-së.

“Ne jemi të shqetësuar se ky pilot nuk ishte i vetëdijshëm se sa iu afrua shkaktimit të përplasjes”- tha më tej ushtria amerikane, raporton agjencia “Associated Press”.

Ministria e Jashtme e Kinës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, por në një incident të ngjashëm në maj, qeveria kineze i kishte shpërfillur ankesat amerikane dhe kishte kërkuar nga Uashingtoni që t’u jepte fund fluturimeve të tilla mbi Detin e Kinës Jugore.

Kina ka qenë gjithnjë më kategorike në avancimin e pretendimeve të saj për pothuajse tërë Detin e Kinës Jugore si territor të saj ujor, pozicion i kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, që e shfrytëzojnë atë hapësirë të madhe ujore për lundrim.

Pretendimet e Kinës kanë çuar në mosmarrëveshje të gjata territoriale me shtete të tjera që kanë dalje në Detin e Kinës Jugore, që është njëra nga rrugët më të ngarkuara të transportit detar në botë. Javën e kaluar, një anije e rojës bregdetare kineze dhe një barkë shoqëruese goditën një anije të rojës bregdetare filipinase dhe një barkë furnizuese ushtarake afër një cekëtine të kontestuar në atë pjesë.

Pas këtij incidenti, presidenti amerikan, Joe Biden, e përsëriti paralajmërimin se Shtetet e Bashkuara do të detyroheshin që t’i mbronin Filipinet, aleatet më të vjetra të ShBA-së në Azi, nëse forcat, aeroplanët ose anijet e këtij shteti sulmohen.

Kina reagoi, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtë që të ndërhyjnë në mosmarrëveshjet e Pekinit me Manilën.

Lajme të ngjashme