Pamje: Anijet kineze i rrethojnë anijet filipinase në Detin Jugor të Kinës - NACIONALE

Pamje: Anijet kineze i rrethojnë anijet filipinase në Detin Jugor të Kinës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ekipi i televizionit BBC ka qenë dëshmitar i bllokimit të anijeve furnizuese të Filipineve nga anijet e rojës bregdetare kineze në Detin Jugor të Kinës.

Incidenti ndodhi përderisa dy anije të rojës bregdetare filipinase – në njërën prej të cilave ndodhej ekipi i BBC-së – dhe dy barka të vogla komerciale po lundronin drejt Cekëtinës së Dytë të Thomasit.

Ato u ballafaquan me një anije në të cilën shkruhej “Roja Bregdetare e Kinës”, që ishte pesë herë më e madhe se barkat komerciale. Ballafaqimi zgjati disa orë.

Tensionet mes Filipineve dhe Kinës mbeten të larta, pasi roja bregdetare filipinase i kishte prerë pengesat e vendosura nga Kina në ujëra të kontestuara muajin e kaluar.

Filipinet i furnizojnë trupat e tyre në Cekëtinën e Dytë të Thomasit, në Ishujt Spratly, çdo muaj për t’i përforcuar të drejtat ekonomike në ujërat që janë të pasura me peshq e burime minerale.

Pekini pretendon se pothuajse tërë Deti i Kinës Jugore është territor kinez, përfshirë Ishujt Spratly, për të cilët edhe Filipinet pretendojnë se janë pjesërisht territore të saj.

Incidenti ndodhi të mërkurën, në ditën e dytë të misionit treditor në Cekëtinën e Dytë të Thomasit.

Dy anijet e rojës bregdetare filipinase ishin duke i përcjellë barkat komerciale që po transportonin furnizime që mjaftojnë për rreth një muaj.

Kur anijet e të dyja vendeve iu afruan njëra-tjetrës, anijet kineze u dërguan mesazhe anijeve filipinase, duke kërkuar nga to që të largoheshin. Kur anijet filipinase e refuzuan kërkesën, anijet kineze u renditën në formë kutie për t’i bllokuar anijet filipinase.

Dy anijet e vogla komerciale e kapërcyen bllokadën për shkak të madhësisë së tyre më të vogël, strategji që ka funksionuar në muajt e fundit.

Megjithatë, dy anijet e rojës bregdetare filipinase ishin shumë të mëdha për të depërtuar dhe në një moment ishin pak metra larg anijeve kineze. Ato ishin aq afër njëra-tjetrës, saqë ekuipazhet e fotografonin palën tjetër. Edhe një aeroplan ushtarak i Filipineve u pa duke fluturuar mbi to.

Anijet filipinase u kthyen, kur konfirmuan se furnizimit kishin arritur në vendin e caktuar dhe dy barkat komerciale u kthyen në mënyrë të sigurt në port.

Lajme të ngjashme