ShBA-ja s’po përgatitet për pushtimin e Kubës, thotë gjenerali i lartë amerikan - NACIONALE

ShBA-ja s’po përgatitet për pushtimin e Kubës, thotë gjenerali i lartë amerikan

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara nuk janë duke bërë ushtrime për pushtim të Kubës e as nuk janë duke u përgatitur që ta marrin nën kontroll ushtarakisht shtetin ishullor, tha të enjten para ligjvënësve gjenerali i lartë që i drejton forcat amerikane në Amerikën Latine.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të adresuar çfarëdo kërcënimi ndaj Ambasadës së ShBA-së, për ta mbrojtur bazën e tyre në Gjirin e Guantanamos dhe t’i ndihmojë përpjekjet e qeverisë amerikane për të adresuar ndonjë emigrim masiv nga ishulli, nëse është e nevojshme, tha komandanti i Komandës Jugore të ushtrisë amerikane, Gjeneral Francis Donovan, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Komentet e tij u bënë gjatë një seance dëgjimore në Senat, e përqendruar në përdorimin e ushtrisë nga presidenti Donald Trump në Amerikën Latine, ku administrata e tij e ka risjellë në pah idenë që rajoni të bjerë në zonën e ndikimit të Uashingtonit.

Trumpi ka urdhëruar sulme ushtarake ndaj barkave të dyshimta të drogës dhe është duke i zgjeruar aleancat kundër narkotikëve me qeveritë pro-amerikane në Amerikën Latine, madje edhe duke kryer operacione të përbashkëta me Ekuadorin në terren më herët këtë muaj.

Në janar, forcat speciale amerikane e kapën atëherë presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, përmes një operacioni në kompleksin e tij në Karakas dhe e dërguan në Nju-Jork, ku po ballafaqohet me akuza për trafikim droge.

Donovan, i cili ishte numri 2 në Komandën e Operacioneve Speciale në kohën e operacionit për kapjen e Maduros, bëri një vizitë të befasishme në Venezuelë për bisedime të sigurisë muajin e kaluar, pak pasi e mori pozitën e komandantit të Komandës Jugore.

Lajme të ngjashme