ShBA-ja po përgatit pako të re armësh prej 1.1 miliard dollarësh për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara janë duke përgatitur një pako të re të armëve prej 1.1 miliard dollarësh për luftën e Ukrainës kundër Rusisë, që do të publikohet së shpejti, thanë të martën disa zyrtarë amerikanë, kur Uashingtoni po e pret rezultatin e atyre që i quan referendume mashtruese në Ukrainë.
Kjo pako do të jetë ndihma më e re e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën në kohën kur në lindje të vendit po zhvillohen luftime me forcat ruse. Zyrtarët thanë në kushte anonimiteti se pakoja do të paraqitet në ditët e ardhshme.
Pritet që për këtë pako të shfrytëzohen fonde nga Nisma për Asistencë të Sigurisë për Ukrainën, e miratuar nga Kongresi për t’i lejuar administratës së Bidenit që të blejë armë nga industria e jo nga rezervat ekzistuese të armëve të ShBA-së, raporton agjencia “Reuters”.
Në pako do të përfshihen sistemet HIMARS, municionet shoqëruese, lloje të ndryshme të sistemeve kundër dronëve dhe sisteme të radarëve, bashkë me pjesë rezervë, trajnime e përkrahje teknike, tha një burim.
ShBA-ja po shikon me mosbesim përderisa forcat pro-ruse zhvilluan referendume në zonat e pushtuara të Ukrainës, ndërsa rezultati pritet të publikohet së shpejti.
Uashingtoni është duke përgatitur një valë të re të sanksioneve kundër Rusisë, nëse Moska i anekson këto zona pas njoftimit të rezultateve të referendumeve.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka dënuar referendumet dhe është zotuar se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk do t’i njohin rezultatet e këtyre votimeve.
Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës armë me vlerë të më shumë se 15 miliardë dollarëve për luftën kundër Rusisë./Nacionale