ShBA-ja ofron deri në 7 milionë dollarë shpërblim për lokalizimin e këtij personi
Shtetet e Bashkuara ofruan të martën shpërblim deri në shtatë milionë dollarë për ata që ofrojnë informata që çojnë në identifikimin, zbulimin e vendndodhjes dhe/ose dënimin e një udhëheqësi të grupit Hezbollah, Ibrahim Aqil.
Njoftimi nga Departamenti i Shtetit u bë me rastin e 40-vjetorit të bombardimit të ambasadës amerikane në Beirut të Libanit nga Hezbollahu, raporton agjencia “Anadolu”.
Aqil, i njohur edhe si Tahsin, shërben në organin më të lartë ushtarak të Hezbollahut, Këshilli i Xhihadit, tha Departamenti i Shtetit.
Të martën, Departamenti i Thesarit dhe Departamenti i Shtetit njoftuan sanksione të reja kundër rrjetit që i lehtëson blerjen, transportimin dhe dërgimin e të hollave, mallrave të artit e mallrave luksoze për përfitimin e financuesit të dyshimtë të Hezbollahut, Nazem Said Ahmad.
“Departamenti i Thesarit ësht duke e përcaktuar këtë rrjet dhe Departamenti i Shtetit është duke e ripublikuar ofertën e tij për shpërblim prej deri në dhjetë milionë dollarësh për informata rreth mekanizmave financiarë të Hezbollahut, përfshirë Ahmadin”- thuhet në një deklaratë tjetër të Departamentit të Shtetit.
Më 8 tetor 1997, Departameni i Shtetit e cilësoi Hezbollahun “organizatë të huaj terroriste”.