ShBA-ja ofron shpërblim deri në 5 milionë dollarë për kapjen e një bande droge - NACIONALE

ShBA-ja ofron shpërblim deri në 5 milionë dollarë për kapjen e një bande droge

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara të martën ofruan shpërblim deri në 5 milionë dollarë për ata që ndihmojnë për arrestimin e bandës kriminale irlandeze të drogës, të njohur si rrjeti Kinahan.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu vendosën sanksione kundër udhëheqësve të bandës, të cilën policia irlandeze e akuzon për marrje me heroinë e kokainë në Dublin që nga vitet e nëntëdhjeta si dhe operim në mbarë Evropën.

Një varg i gjerë i krimeve, përfshirë më shumë se dhjetë vrasje, vlerësohet të kenë krijuar të ardhura prej më shumë se një miliard eurosh për këtë rrjet.

Shpërblimi milionësh nga Shtetet e Bashkuara u ofrua për informatat që çojnë në pengimin financiar ose arrestimin e Daniel Kinahan-it, për të cilin Departamenti i Thesarit i ShBA-së beson se i udhëheq operacionet, vëllanë e tij, Christopher Jr Kinahan-in, dhe babanë e tyre, Christopher Kinahan, që është themelues dhe udhëheqës i bandës.

Të tre këta persona ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe, vend me të cilin Irlanda nuk ka marrëveshje për ekstradimin e personave të kërkuar. Thesari i ShBA-së tha se këta persona e përdorin shpesh Dubain si qendër për aktivitete të paligjshme.

Një avokat i Daniel Kinahan-it i kishte thënë televizionit “BBC” vitin e kaluar se klienti i tij nuk ka të kaluar kriminale ose dënime dhe se pretendimet se ai është bos krimi, janë të rreme.

Lajme të ngjashme