ShBA-ja më në fund merr anë në konfliktin e vjetër: Pelosi do ta vizitojë Armeninë - NACIONALE

ShBA-ja më në fund merr anë në konfliktin e vjetër: Pelosi do ta vizitojë Armeninë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, këtë fundjavë do të udhëtojë për në Armeni për të shfaqur përkrahje për këtë shtet, që ditëve të fundit zhvilloi luftime me Azerbajxhanin, i thanë dy burime të afërta me vizitën faqes “Politico”.

Pelosi do të shkojë në Armeni e shoqëruar nga kongresistja republikane, Jackie Speier, pas qëndrimit në samitin e Grupit G7 në Berlin. Pritet që ajo të takohet me kryeministrin armen, Nikol Pashinian, dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë.

Ky do të jetë një vizitë tjetër dramatike e zonjës Pelosi pas vizitës së tensionuar të saj në Tajvan muajin e kaluar. Me afrimin e zgjedhjeve të mesit të mandatit – dhe mundësisë që ajo ta humbë postin që e ka, nëse republikanët e sigurojnë shumicën e ulëseve – në Uashington besojnë që Pelosi po dëshiron ta “betonojë” trashëgiminë e saj si mbrojtëse e të drejtave të njeriut, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por dhe në mbarë botën.

Kur u pyet për vizitën në Armeni të zonjës Pelosi, Dreë Hammill, zëvendësshef i stafit të saj, tha: “Ne nuk e konfirmojmë ose mohojmë udhëtimin ndërkombëtar paraprakisht për shkak të protokolleve të vjetra të sigurisë.” Zyra e kongresistes Speier nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Armenia dhe Azerbajxhani janë të përfshira në një konflikt të përgjakshëm për Nagorno-Karabakun, territor që nga komuniteti ndërkombëtar njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por banohet nga armenët. Para dy viteve, këto vende e zhvilluan luftën e dytë për rajonin e kontestuar, me ç’rast u vranë mijëra ushtarë të të dyja shteteve, por Azerbajxhani siguroi zgjerim të zonës që e ka nën kontroll.

Dhuna shpërtheu përsëri këtë muaj. Zyrtarët e të dyja vendeve e fajësuan njëri-tjetrin për nisje të sulmeve. Armenia pretendoi se ushtria azere përdori dronë, artileri, mortaja e armë të vogla për të vënë në shënjestër disa qyteza kufitare. Në anën tjetër, Azerbajxhani tha se forcat armene po vendosen në pozicione për eskalim afatgjatë të luftimeve.

Më shumë se 170 ushtarë të të dyja palëve janë vrarë gjatë luftimeve në ditët e fundit, sipas zyrtarëve në Jerevan e Baku. Rusia tha se ndërmjetësoi për një armëpushim të martën, por marrëveshja e shkel menjëherë dhe dhuna vazhdoi edhe të mërkurën. Sidoqoftë, Armenia raportoi për një armëpushim të ri.

Vizita e Pelosit do të thotë shumë për komunitetin armeno-amerikan, i cili ka bërë thirrje për më shumë vëmendje politike të ShBA-së në këtë krizë. “Armenia nuk e ka marrë atë lloj të vëmendjes që e ka marrë Ukraina dhe kjo (vizitë) do të hedhë dritë mbi një vend (Azerbajxhanin) që e kalon kufirin ndërkombëtar në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, tha Anthony Barsamian, bashkëdrejtues i Asamblesë Armene të Amerikës./Nacionale

Lajme të ngjashme